Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve me përmbajtje fashiste të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të dy përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë maqedonase.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, anëtari i kryesisë së BDI-së, Emir Sulejmani, kërkoi dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe zëvendësministres për Sport, Safije Sadiki Shaini, për shkak të, siç u tha, mosreagimit të tyre ndaj skandaleve të rënda të urrejtjes etnike.
Gjatë ndeshjes që u zhvillua javën e kaluar, në sallën sportive janë dëgjuar thirrje skandaloze si: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, ndërkohë që në tribunë ishin të pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
BDI kërkon që përfaqësuesit shqiptarë në qeveri të distancohen publikisht nga kjo ngjarje dhe të kërkojnë sanksione të ashpra ndaj përgjegjësve. Sipas Sulejmanit, heshtja e tyre përballë një “sulmi të paprecedentë ndaj dinjitetit shqiptar” është e papranueshme.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në Kosovë, ku presidentja Vjosa Osmani e ka dënuar ashpër rastin, duke e cilësuar një shfaqje të pastër të gjuhës së urrejtjes dhe ekstremizmit etnik.
Për momentin, institucionet në Maqedoninë e Veriut nuk kanë marrë masa konkrete ndaj organizatorëve apo tifozëve që përdorën gjuhën e urrejtjes, ndërsa zëvendësministrat në fjalë nuk kanë bërë ende ndonjë koment publik.






