0.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Belind Këllici çel protestën e opozitës: Tirana, kryeqyteti evropian i protestave

I pari që ka hapur protestën e opozitës së bashkuar në ditën e sotme ka qenë Belind Këlliçi i cili ka deklaruar se në 14 maj shqiptarët duhet të shporrin kryeministrin dhe shpurëne tij hajdute.

“E keni parë kryeministrin këto 3 javë? Na dilte çdo ditë në televizion. Janë të vdetëdijshëm që këtë herë kanë shkelur në kallo”, u shpreh ai duke iu referuar skandalit Mc Gonigal.

Fjala e tij:

Sa shumë jemi. Ju dëgjoj nga këtu deri te Sheshi Skënderbej!
Rama ik! Rama ik!

Shqipëria është derdhur këtu në këtë shesh!

Në 103 vjetorin e saj si kryeqytet, Tirana sot është më e gjallë, më e shndritshme, më e bukur se kurrë me ardhjen tuaj. Sot i kemi zemrat plot se kemi miq nga e gjithë Shqipëria, nga çdo krahinë e qytet i vendit.
Ja mirë se erdhët dhe ju lumshin këmbët!

Tirana na ka mbledhur të gjithëve, na ka bashkuar për të kundërshtuar njëzëri të gjitha padrejtësitë që i bëhen vendit tonë nga kjo godinë. Këtu është strumbullari i të gjitha të këqijave, i të gjitha aferave që i kanë marrë arkës sonë të përbashkët miliarda euro. Para që iu morën fermerëve, minatorëve, naftëtarëve, spitaleve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve.

Para që u vodhën me asfalt elektoral, farsa rindërtimi dhe me inceneratorë imagjinarë.

Para që i jepen agjentëve të huaj për ta lënë vendin pa opozitë, që shqiptarët të mos kenë alternativë në zgjedhje, që 14 maji të jetë një e diel e zakonshme dhe jo një ditë shprese për ndryshim. Po përse paguajnë për të eliminuar opozitën, këta që janë të pathyeshëm?
Paguajnë sepse kanë frikë nga opozita, nga 14 maji, kanë frikë nga ju, nga vota juaj dhe fuqia që ju jep vota.
Përse zhvillojnë takime sekrete, përse fshihen? Sepse marrëveshjet që bëjnë janë të paligjshme, korruptive dhe antidemokratike dhe janë të vetëdijshëm që këtë rradhë kanë shkelur në kallo.

Një pyetje kam: Kush e ka parë kryeministrin? Ku është VIP-i? Po këtë që do varte tek palmat e kryeministrisë, zarin e tij në Bashkinë Tiranë, a e ka parë njeri këto ditë?

Ish-zëvendësi i tij është kapur. S’ka ku e luan tani. Nëse drejtësia e ka çarkun e madh, edhe tigri bie në çark.

Rrugës për këtu, e patë trafikun e Tiranës, sa kohë duhet këtu për të mbaruar një hall?

E patë batërdinë me kulla që është bërë në sheshin Skënderbej?
Ju lutem kthejeni kokën dhe më thoni, a e shihni dot Sahatin e Tiranës?
E zhduku me një firmë që hodhi. Kaq vlejti për kryebashkiakun simboli i Tiranës, kaq vlejti identiteti i kryeqytetit. Nuk do më bënte fare habi nëse na quan sërish “shpellarë”.
Edhe sot në 103 vjetorin e Tiranës kryeqytet, zari i Ramës në Bashki po mundohet të na hedhë hi syve sikur promovon kulturën me inskenime koncerte lagjesh, ndërkohë që pak metra më tutje rrënohet Radio Tirana, në një kurs shkatërrimi pa kthim, gati për të ndjekur të gjithë vilat e tjera tradicionale të rrrugës Kont Urani, të cilat ja kanë lënë vendin kullave të betonit, e që e kanë shndërruar atë zonë të Tiranës nga një oaz mimozash, në labirinte betoni.

Është kryebashkiaku i vetëm në Europë që publikisht ka fyer të rinjtë që jetojnë në konvikte, pa të cilët Tirana mbetet e shkretë. Të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria vijnë në Tiranë për studime. Prindërit e tyre paguajmë miliona euro qira. I sjellin Tiranës para, vrull, energji. Energji që do duhej t’i kishte vetë një qytet me 1 milionë banorë, por ja që nuk i ka, sepse nuk administrohet. Nëse do të administrohej Tirana nuk do të kishte këtë kaos të përditshëm, këtë stres në trafik, këtë ajër të ndotur që e thithim të gjithë.
Ky është qyteti ku ka më shumë policë bashkiakë se pemë, më shumë kondicionerë në një zyrë shteti se ngrohje nëpër kopshte e shkolla . Ky është qyteti ku kryebashkiaku bën aktorin dhe aktori – investitorin strategjik.

Këtu shitësit të vogël ambulant i konfiskojnë tezgën ndërsa kriminelit i thonë biznesmen.
Këtu jemi në qytetin ku shëndetësia qenka falas po për një varr paguhet nën dorë.
Kjo është Tirana ku premtohen parqe dhe lulishte por nuk të sheh syri një lule të mbjellë.
Keni ardhur në kryeqytetin e vetëm në Europë që në qendrën e vet mbillen shkurre dhe jo lule. Këtu dritat e rrugëve fiken natën dhe ndizen ditën.
A e dini se për të shkuar me urgjencë në spital, këtu mund të shkosh më shpejt me një betoniere se me autoambulancë?

Ju që mendoni se në kryeqytet ka siguri më të madhe për jetën, e dini se këtu zjarrfikësja nuk hyn dot brenda lagjeve, sepse oborret bëhen pallate? Se lulishtja bëhet kafene dhe kafeneja mbushet me fëmijë që nuk kanë ku të luajnë? Kam shumë për të thënë, se nuk flas vetëm si Belind.

Unë nuk po ju them vetëm të vërtetën time. Këto janë fjalët e inxhinier Fatjonit që banon në Njësinë 7, fjalët e profesor Adrianit nga Njësia 9, të Kriselës studente, të Etlevës arsimtare, të Arbrit taksist, të Elenës që është shitëse në Laprakë, të Sokolit pensionist dhe të atyre mijëra bashkëqytetarëve të mi nga çdo njësi që kam takuar e dëgjuar. Ato miliarda euro për të cilat flet Kontrolli i Lartë i Shtetit i janë vjedhur Fatjonit, Adrianit, Kriselës, Etlevës, Arbrit dhe secilit prej jush që keni ndjekur rrugën e protestës. U janë hequr atyre qindra mijërave që lanë Shqipërinë këto 10 vjet. I janë marrë pensionistëve, ushtarakëve, familjeve në nevojë, çifteve të reja që nuk blejnë dot një shtëpi në Tiranë.
Mua më vjen turp që më duhet të dal përpara njerëzve dhe të premtoj në vitin 2023 ujë të pijshëm, në një kryeqytet që ka më shumë depozita mbi pallat se depozita në bankë. Koha kur shqiptarët paguajnë për një shërbim që nuk e marrin do të marrë fund! Koha kur politikani premton një gjë dhe bën krejt të kundërtën e saj, duhet të marrë fund! Koha kur politikani del në çdo ekran sikur është në Tiranë dhe ndërkohë shullohet në Dubai apo Bali, duhet të marrë fund!
Kryeministri duhet t’i rrijë gatitu shqiptarëve dhe jo e kundërta. Kryebashkiaku duhet t’i rrijë pronto qytetarëve, sepse ata kanë në duar instrumentin e votës dhe mund ta heqin kur të duan. Të dy së bashku, Edi Rama dhe zari i tij, e kanë drejtuar Tiranën për 19 vjet. Kjo që shihni vërdallë është produkti i tyre.

Nëse Tirana nuk ndryshon, Shqipëria nuk ka për të ndryshuar. Një kryeministër në Perëndim i kapur në korrupsion është i korruptuar për të gjithë qytetarët, si për demokratët dhe socialistët.
Një kryebashkiak hajdut nuk ka rëndësi është hajdut socialist apo hajdut demokrat, hajduti mbetet hajdut dhe largohet me votë. E kur dhe drejtësia është e kapur, atëherë vota bën drejtësi.
Ndaj protesta më e madhe do të jetë më 14 maj.

Vota është instumenti më i madh i protestës. Edhe nëse nuk e ka moralin të japë dorëheqjen, kanë shqiptarët detyrën morale ta heqin më 14 maj. Me votë, me votë, me votë!
Le ta kthejmë sot Tiranën, në këtë 103 vjetor të saj si kryeqytet, në kryeqytetin europian të protestave.

Faleminderit të gjithëve!

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT