7.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Belind Këlliçi në Kashar: “Bashkia e drejtuar nga Veliaj, ka braktisur fshati duke mos kryer investime në këto zona”

Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka paraqitur programin e tij për lehtësimin e kostos së jetesës, pranë banorëve të Kasharit. Në takim ku merrnin pjesë dhjetëra qytetarë, Këlliçi sqaroi dhe një herë se cilat do të jenë shtresat e shoqërisë që do të përfitojnë më së shumti nga transporti publik falas.

“Unë këtë nuk po e bëj për të pasurit, nuk po e bëj për oligarkët. Këtë po e bëj për të rinjtë, për të moshuarit, për studentët, për familjet në nevojë. Për ata qytetarë të ndershëm që ndërrojnë nga dy linja autobusi në ditë, harxhojnë 1600 lekë në ditë transport, për të shkuar në punë, për të marrë një rrogë 450 mijë lekë apo 400 mijë lekë në muaj dhe paguajnë 10% të rrogës mujore për transport publik”, u shpreh Këlliçi.

Kandidati i Opozitës tha se ndihet krenar që vjen si një kandidat, ku ndaj tij nuk ka një akuzë të vetme për abuzime me financat publike, sikundër ndodh me Erion Veliajn. Sipas Këlliçit, kryetari aktual i bashkisë ka ezauruar të gjitha veprat penale që përmban Kodi Penal, ku më e rënda është ajo për humbjen e jetës së Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.

“Nuk kam asnjë akuzë që t’i kem prekur një qindarkë buxhetit të shtetit, që të kem firmosur një aferë korruptive, apo që t’i kem bërë një cent dëm vendit tim, apo Tiranës apo Shqipërisë. Dhe kjo është krenaria ime më e madhe. Përballë kam një të ri, se është ende i ri në moshë ai, që ka konsumuar çdo akuzë që ka Kodi Penal. Duke filluar që nga korrupsioni, lidhja me mafien, lidhja me Ndragheta, lidhja me mafien e plehrave, te ai djali i vogël që humbi jetën, Ardit Gjoklaj, që humbi jetën në landfillin e Sharrës, që unë nuk do e harroj kurrë dhe përherë do e përmend, se ja kam detyrim moral familjes së tij”.

Më tej, gjatë bisedës, kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, tha se bashkia e drejtuar nga Veliaj, ka braktisur fshatin, duke mos kryer investime në zonat rurale. Ai u zotua se do të jetë një kryebashkiak në shërbim të të gjithë qytetarëve, ndërsa u angazhua se drejtuesit e njësive administrative jo vetëm që do të kenë më shumë kompetenca vendimmarrëse, por ata do të zgjidhen nga vetë qytetarët.

“U jap fjalën që gjëja e parë që do bëj është se do investojmë në infrastrukturë, se rrugët i keni në mëshirë të fatit. Do të ndjek me prioritet çështjen e ujit të pijshëm dhe ujit për vaditje sepse e di që e keni problem, sepse unë me ju jetoj, ju u takoj. Se të jetë për Erion Veliaj këtu i bie që të ketë 24 orë ujë të pijshëm 24 orë në ditë, por kjo nuk është e vërtetë. Do të jem një kryebashkiak në shërbimin tuaj. Njësinë administrative të Kasharit, kryetarin tuaj do ta zgjidhni ju vet dhe nuk do ta sjelli Belind Këlliçi. Do t`i japë më shumë kompetenca, do t`i delegojë më shumë vendimmarrje”,-tha Këlliçi.

Ai shtoi se zonat rurale do të kenë investime më shumë se kurrë.
“Jo vetëm Kashari, i gjithë fshati në Tiranë, e gjithë kurora e Tiranës, të 140 fshatrat e Tiranës do të kenë investime më shumë se kurrë. Mos harroni një gjë, unë kam qenë deputet i zonës rurale dhe urbane në Tiranë. Mungesa e investimeve në fshatin e Tiranës është më e madhja në të gjithë Shqipërinë. Fshati i Tiranës është i lënë në harresë më shumë se çdo fshat i Shqipërisë. Këtë e ka bërë vetëm Erion Veliaj”, shtoi Belind Këlliçi.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT