Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi sot se mazhoranca po i mohon opozitës mundësinë për debat parlamentar, ngritjen e mocioneve dhe krijimin e komisioneve.
Në fjalën e tij gjatë seancës së Komisionit të Nismave, Këlliçi theksoi se gjatë 10 seancave plenare të kësaj legjislature, opozita nuk ka mundur të trajtojë çështje të rëndësishme për qytetarët.
“Flisni për respektimin e opozitës, por në parlament kjo nuk ndodh. Siç jemi ne në parlament, jeni edhe ju. Në këto dy muaj, janë zhvilluar 10 seanca. Kemi pasur mundësinë të flasim për qytetarët dhe për buxhetin, por jo për programin qeverisës dhe ligjin për barazinë gjinore. Nuk kemi pasur mundësi të trajtojmë shumë institucione dhe probleme të zgjedhësve. Seancat janë mbyllur. Sot, si opozitë, nuk na njihet e drejta për mocione për debat, për komisione dhe për çështje jo politike, si rasti i ilaçeve. Mund të tingëllojë bukur se njihen të drejtat e opozitës, por me vepra dhe akte, kjo nuk ndodh në praktikë,” u shpreh Këlliçi.






