17.5 C
Tiranë
Friday, October 18, 2024
spot_img

“Berisha e ktheu PD-në në shkretëtirë”/ Flutura Açka: “Z. Basha ju kërkoj të ndryshoni, të gjeni një X faktor, të ndërroni lëkurë”

Deputetja Flutura Açka dha mesazhin e saj në Kuvendin Kombëtar të PD, duke e nisur me kaosin e krijuara me lëvizjet e Sali Berishës dhe duke e mbyllur me një thirrje për kryedemokratin Lulzim Basha.

Açka theksoi se vetëm për faktin që ka menduar se partia duhet të ketë qasje euro-atlantike ka marrë një rrebesh fyerjesh, deri edhe kërcënimesh. Ndër të tjera ajo foli për politikanë brenda të djathtës që e shohin PD-në si mundësinë që të majmen në pushtet.

Ndërkohë, në fund të fjalës së saj, deputetja iu drejtua Bashës, duke i kërkuar që të heqë klishenë e krijuar se një politikan hyn i mirë në politikë dhe del i keq, dhe të japë shembullin e kundërt.

Në këto muaj më është dashur të përjetoj bashkë me ju edhe dy shembje të thella në ngrehinën 30-vjeçare demokratike. Atë të efekteve në Kodin Zgjedhor në 25 prill nga përçarja për të cilin ende nuk jemi çliruar, dhe atë të kodit kanunor të shpalljes non gratë të ish-liderit tonë historik, nga efekti i të cilit duket sikur jemi dy palë ‘armike’. Në rastin e parë përtej trishtimit që me jep që gjatë fushatës të shihje kolegun tënd të manipulonte për vota edhe të afërmit e tu nuk mund të kishe ndonjë brengë të madhe sepse e gjitha shkonte në thesin e demokratëve. Në rastin e dytë, u thirrën në skenë njerëz me qëllimin e vetëm për një fushatë linçimi ndaj pjesës tjetër të demokratëve me një fjalor anti-demokratik, pse jo dhe anti-njerëzor. Vetëm pse kam thënë të vërtetën time që kjo parti duhet të shoh përpara dhe të ketë qasje euro-atlantike kam qenë për javë të tëra në një rrebesh akut fyerjesh, poshtërimesh deri edhe kërcënimesh.

Nuk më shqetësojnë fare vërejtjet e demokratëve të thjeshtë që janë thjesht nën manipulim, apo nën pezm, ata kanë një sens manhitësh mirëkuptimi, por çështja është te një shpurë ish-ministrash, diplomatë, gazetarë, ish-deputëtë, deputetë, ish-masovikë të kohës së Enver Hoxhës që PD i kishte apo i ka ende në radhët e saj. Linçimi ndaj personit, familjarëve të afërmve ishin në kufijtë e anti-njerëzoresh. Është një urrejtje që nuk do ta kisha besuar po të mos ta kisha njohur. Për ta PD në pushtet u jep mirazhin e majmërisë, vilat, honorarët, tenderat, garderobën e shtrenjtë. Ende nuk e kanë kuptuar që e kanë kthyer PD-në në shkretëtirë qoftë me heshtjen e tyre. Nuk kanë lënë rast nga takimet me ambasadat të flasin për mungesë lidershipi. Ata e sollën partinë në tranzicion të ri që jemi të detyruar t’i japim fund sot. Partia nuk përdoret vetëm për privilegje dhe për t’u krekosur, PD duhet të ndahet sot nga kjo mënyrë e të bërit politikë.

Kam dy fjalë të sinqerta me ju z. Basha. Më vjen mirë që ka ardhur një kohë reflektimi edhe për ju. Ta bëjmë PD vërtet demokratike dhe të krijojmë mundësinë të qarkullojnë elitat. Të amnistojmë çdo keqkuptim të sotëm me një pjesë të rinisë sonë, që e kemi jashtë kësaj salle. E kuptoj hendekun që na është krijuar me bazën dhe kjo është e kuptueshme, por nga nesër ju duhet të ktheheni më shpesh dhe më bindshëm te demokratët. Ata janë duke pritur tua thoni në sy dëshpërimin e tyre. Afrimi më shumë te baza nuk është qasje konservatore, por njerëzore. Ju kërkoj të ndryshoni, të gjeni një X faktor, të ndërroni lëkurë, në politikën shqiptare është krijuar klisheja se një politikan hyn i mirë në politikë, e del i keq, jepni shembullin e kundërt. Ua kërkoj publikisht, hiqeni atë tonik ju i pari”, u shpreh deputetja Açka.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT