9.5 C
Tiranë
Thursday, November 14, 2024
spot_img

Berisha frymëzohet nga Fushata e Trump: Braktisni mediat, informohuni nëpërmjet Rrjeteve Sociale

Ish-kryeministri Sali Berisha, pas fitores së Donald Trump në SHBA, duket se ka gjetur frymëzim në fushatën e suksesshme të Republikanëve, duke përvetësuar disa prej ideve të tyre. Që prej disa ditësh, Berisha ka adoptuar një linjë të ngjashme me atë të Trump, duke përfshirë në fjalimet e tij elementë që flitet se kishin ndikim në rezultatin e zgjedhjeve në SHBA. Këtu përfshihen tema si mbrojtja e komunitetit LGBT, rreziku i një Luftëje të Tretë Botërore, dhe sistemi i drejtësisë “i kapur nga Soros”, mes të tjerash.

Në fjalët e tij të fundit, ish-kryeministri ka bërë thirrje që ndjekësit e tij të braktisin mediat e mëdha ndërkombëtare dhe të informohen përmes rrjeteve sociale, si Facebook, Twitter, Instagram e të tjera. Kjo ka qenë gjithashtu një prej thirrjeve kryesore të Donald Trump dhe mbështetësit të tij, Elon Musk, gjatë fushatës elektorale në SHBA, ku ata akuzonin mediat e mëdha për njëanshmëri dhe manipulim të informacionit. Ata kanë krijuar rrjete sociale si “X” dhe “Truth Social”, të cilat shpesh janë kritikuar për përhapjen e dezinformacionit dhe propagandës.

Në një pjesë të fjalimit të tij, Berisha ka theksuar:

Ndaj miqtë e mi, me lutjen time, përdorni me të gjitha mënyrat rrjetet sociale, krijoni portale që janë shpatat e anticensurës. Ktheni kokën kur dëgjoni lajmet e tyre sepse janë megafonë mashtrimi të Edi Ramës. Lajmet i merrni nga rrjetet sociale dhe televizionet që i qëndrojnë besnikë të vërtetës.

Berisha ka vazhduar të kritikojë median shqiptare, duke thënë se është e vështirë të dallosh cilat televizione janë të pavarura dhe cilat janë të kapura nga pushteti. Ai ka theksuar se shumë media janë në garë për të tallen me opozitën dhe për të manipuluar qytetarët, duke shtuar:

Miqtë e mi, mos u besoni atyre që u fshehin të vërtetat. Kjo ndodhi në SHBA, por presidenti Trump me flamurin e të vërtetës ngadhënjeu mbi të gjitha mediat kryesore dhe pushtoi mendjet dhe zemrat e qytetarëve amerikanë, realizoi rikthimin më të jashtëzakonshëm me votën e lirë të të gjitha kohërave.

Berisha përfundoi duke inkurajuar ndjekësit të angazhohen në rrjetet sociale dhe të shpërndajnë të vërtetat, duke shkruar statuset, lajmet dhe informacionet e tyre në Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT