Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nisur fjalimin e tij gjatë protestës së quajtur “Foltore 2” duke falënderuar demokratët dhe duke e konsideruar si një nderim për sakrificat e tyre emërimin e tij si Zëvendës President i CDI.
Berisha tha se sot kthehet nga Brazili dhe theksoi mbështetjen që kanë nga qytetarë dhe miq në mbarë botën në luftën kundër qeverisë, të cilën e cilësoi si të keqe. “Vij sot nga Brazili për t’u garantuar se kemi miq më shumë se kurrë. Në betejën me të keqen që përballemi, nuk jemi vetëm, kemi mbështetje nga njerëzit që duan lirinë në mbarë botën. Ai nderim që më bëri internacionalja demokrate e qendrës duke më zgjedhur në postin e lartë të zv. Presidentit, është nderim për sakrificat tuaja, qëndresën tuaj”, tha ai.
Berisha theksoi gjithashtu se vendi ka një qeveri të korruptuar dhe anti-shqiptare. Ai shtoi se qeveria me kryetar Edi Ramën do të mbahet mend si “qeveria më hajdute që ka pasur ndonjëherë kombi shqiptar”.






