Në mbledhjen e Kryesisë së Partia Demokratike e Shqipërisë, kryetari i saj Sali Berisha bëri thirrje për “kryengritje paqësore të shqiptarëve deri në përmbysjen” e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe përqendrim të pushtetit në duart e një individi.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se Rama po vepron nën presionin e aferave korruptive dhe, sipas tij, ka braktisur reformën në drejtësi që më parë e paraqiste si model unik.
“Nuk kishte dyshime se Edi Rama do të vepronte ndryshe. Atij i ka ardhur thika në palcë për shkak të vjedhjeve të tij. Ai e dinte se Lubija ishte thjesht dordoleci, noterja, sekretarja e vjedhjeve të tij për 25 vite. Kurse ai ishte autori”, u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve bëri thirrje që opozita të mobilizohet plotësisht dhe të angazhojë qytetarët, deputetët dhe të gjitha strukturat e saj në një dialog të gjerë me zgjedhësit, përfshirë edhe ata që nuk e kanë votuar Partinë Demokratike.
“Sot opozita është e vetmja shpresë dhe më shumë se kurrë kërkohet angazhimi me të gjithë potencialet, me të gjitha mundësitë dhe me të gjithë qytetarët për të adresuar krizën aktuale”, shtoi ai.
Berisha theksoi gjithashtu se çdo veprim që, sipas tij, imiton mënyrën e qeverisjes së Ramës nuk përbën zgjidhje, por uzurpim të pushtetit, ndërsa paralajmëroi se dinamika politike mes palëve mund të jetë më e ndërlikuar nga sa duket.






