Më 22 tetor, Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, njoftoi se Britania do t’i japë Ukrainës një hua prej 2.4 miliardë dollarësh për blerjen e më shumë sisteme armësh. Ky vendim vjen në një kohë kur forcat ukrainase përballen me luftime të ashpra kundër trupave ruse në lindje të vendit, ndërsa qytetet dhe infrastruktura ukrainase janë objektiva të sulmeve të vazhdueshme ajrore.
Shuma e huas që përmendi Healey është pjesë e një huaje më të madhe prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila u bë publike në qershor nga Grupi i Shtatë Shteteve më të Industrializuara (G7). Fondet e kësaj huaje pritet të sigurohen nga asetet sovrane ruse të ngrira në Perëndim, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022. Asetet e ngrira ruse vlerësohen të jenë rreth 300 miliardë dollarë.
Sipas Healey, kjo hua është synuar për mbështetje buxhetore për shpenzimet ushtarake të Ukrainës, duke i lejuar kësaj të fundit të investojë në pajisje të rëndësishme si mbrojtja ajrore, artileria dhe pajisje të tjera thelbësore për përpjekjet e saj kundër Rusisë. Kjo hua përforcon programin ekzistues të Britanisë për mbështetje ushtarake vjetore ndaj Ukrainës, që arrin në 3.9 miliardë dollarë, dhe shtohet mbi 16 miliardë dollarë mbështetje ushtarake, ekonomike dhe humanitare që Londra ka dhënë tashmë për Kievin.
Nga ana tjetër, Rusia e ka dënuar përdorimin e aseteve të saj të ngrira, duke e cilësuar si të paligjshëm dhe ka paralajmëruar se do të hakmerret.