Treviso, Itali – Gjykata e Krimeve të Rënda e Trevisos ka dënuar me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin shqiptar Bujar Fandaj, i shpallur fajtor për vrasjen makabre të Vanessa Ballan, një nënë e re 26-vjeçare, më 19 dhjetor 2023, në qytetin Riese Pio X.
Vanessa, e cila ishte shtatzënë dhe në leje lindjeje, u gjet e therur për vdekje në banesën e saj nga partneri i ri. Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi të paktën 8 goditje me thikë, të shkaktuara me dhunë brutale.
Sipas hetimeve, Ballan kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me Fandajn, e cila kishte përfunduar në verën e vitit 2023, me iniciativën e saj. Fandaj nuk pranoi ndarjen dhe nisur një fushatë ngacmimi dhe hakmarrjeje, përfshirë përhapjen e imazheve intime të saj — veprim për të cilin ishte tashmë nën hetim për përndjekje dhe pornografi hakmarrëse (revenge porn).
Megjithëse sjellja e tij u duk se u ndal përkohësisht pas denoncimeve, ngjarjet morën një kthesë fatale në dhjetor, kur ai e sulmoi Vanessën në banesën që ajo ndante me partnerin dhe fëmijën e saj.
Vendimi i gjykatës, i cili pranoi në tërësi kërkesën e prokurorisë, u përshëndet nga publiku dhe familjarët e viktimës si një akt drejtësie për një krim të tmerrshëm që tronditi opinionin publik italian dhe më gjerë.
Ky rast i rëndë është një tjetër shembull tragjik i dhunës ndaj grave, që për fat të keq, vijon të jetë një plagë e hapur në shumë shoqëri.






