8.5 C
Tiranë
Thursday, November 21, 2024
spot_img

Çfarë ndohi dje në Kuvend pas rikthimit të 24 deputetëve të përjashtuar të Opozitës

Me vendimin e Gjykatës Administrative që lehtësoi afatet e pezullimit dhe riktheu në Kuvend deputetët e përjashtuar të opozitës, përfaqësuesit e opozitës iu drejtuan seancës së djeshme si një fitore. Gardhi metalik dhe kordoni i Gardës ishin hequr, dhe deputetët hynë në seancë pa nevojën e seleksionimit, që i përjashtonte më parë disa prej tyre. Megjithatë, tensionet u rindezën brenda sallës që në nisje, kur deputeti demokrat Dashnor Sula hyri i veshur si i burgosur, me pranga në duar dhe me mesazhin “Stop Dënimit politik”. Në fillim të seancës nuk pati përplasje fizike, por debatet u intensifikuan ndërsa opozitarët kërkonin llogari nga socialistët për përjashtimet, që sipas tyre ishin të padrejta.

E para që u vu në shënjestër ishte Elisa Spiropali, së cilës iu kërkua dorëheqja. Po ashtu, pati akuza të ashpra mes palëve lidhur me Buxhetin 2025, gjendjen e rëndë ekonomike dhe vendimin e Gjykatës Administrative për rikthimin e deputetëve të përjashtuar të opozitës, të cilët u ndëshkuan për aktet e dhunshme në Kuvend.

“Ti zonjë që je përfaqësuese e krimit të organizuar duhet të dorëhiqesh, sepse për një muaj nuk ke lejuar deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre. Së bashku me këtë zonjën e vezëve në rresht të dytë, duhet të ndjeni vetëm turp dhe të jepni dorëheqjen si shenjë përgjegjësie për atë që i keni bërë kësaj salle,” deklaroi deputeti demokrat Gazment Bardhi.

Nga ana e tij, Taulant Balla theksoi se “Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimet e brendshme nuk mund të ankimohen,” duke mbrojtur kështu pozicionin e mazhorancës. Jorida Tabaku iu drejtua kryetares së Kuvendit, duke pohuar se “Drejtim më të keq se tani Parlamenti nuk ka pasur ndonjëherë!” Në të njëjtën kohë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, shprehu kundërshtinë e tij ndaj vendimit të Gjykatës Administrative për rrëzimin e masave të Etikës së Kuvendit. Ai argumentoi se vendimi i organeve të Parlamentit nuk ishte rrëzuar, por vetëm ishte zhvendosur në kohë, edhe pse, sipas tij, gjykata kishte tejkaluar kompetencat e saj. Megjithatë, Peleshi tha se mazhoranca e kishte pranuar këtë vendim për hir të ruajtjes së normalitetit parlamentar dhe bëri thirrje që opozita të përqendrohej te diskutimi i buxhetit, jo te konfliktet dhe aktet e dhunshme.

“Me vendimet e gjykatave ka dy standarde. Duhet ta vendosim nëse do t’i njohim ose jo… (për vendimin e Gjykatës Administrative për përjashtimet e PD). Duhet të vendosim një standard për këto vendime. Të mos djegim karriget, kur nuk na pëlqejnë. Ky është një precedent, ku Gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit dhe vendos. Vendimi i gjykatës nuk ka rrëzuar vendimin e Etikës, por vetëm ka ndryshuar datat,” tha Peleshi. Ndërkohë, SPAK njoftoi se nuk do të nisë hetim ndaj demokratëve për incidentin e djegies së karrigeve më 30 shtator në oborrin e Kuvendit.

Debati u përshkallëzua kur kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi përsëri dorëheqjen e Elisa Spiropalit, duke e akuzuar atë se, me urdhër të krimit të organizuar, kishte penguar opozitën që të merrte pjesë në Kuvend, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Administrative që anuloi përjashtimin e më shumë se 20 ligjvënësve të opozitës.

Deputeti demokrat Dashnor Sula shprehu zemërimin e tij në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën për dënimin e deputetëve të opozitës pa ligj dhe pa rregullore. “Na keni dënuar pa ligj dhe pa rregullore dhe gjykata e ka rrëzuar. Ju shkoni për tendera e për koncesione, ndërsa ne shkojmë se dalim në protesta,” tha ai. Bledjon Nallbati, një tjetër deputet demokrat, ironizoi kolegun e tij socialist Toni Gogu për akuzat e ngritura ndaj opozitës për dhunë, ndërkohë që shtoi akuza për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike në tenderë dhe koncesione, përfshirë dhe tenderët për karriget e Kuvendit.

Ndërkohë, Flamur Noka, një tjetër përfaqësues i opozitës, deklaroi se mosbindja civile do të vazhdonte, dhe e krahasoi kryeparlamentaren Elisa Spiropali me “Nafijen”, një personazh nga një film shqiptar. Spiropali iu përgjigj duke e ironizuar Nokën për metaforat e tij të vjetëruara dhe duke vlerësuar kthimin e deputetëve të opozitës në Kuvend.

Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi Buxhetin Faktik të vitit 2023 me 71 vota pro, dy kundër dhe asnjë abstenim. Gjithashtu, Kuvendi miratoi disa ndryshime në komisionet parlamentare, duke caktuar deputetët në komisione të ndryshme dhe plotësuar vendet vakante.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT