Çmimet e larta të apartamenteve në Tiranë kanë shpejtuar shpenzimet e shqiptarëve për blerje pronash jashtë vitet e fundit. Diferenca e ngushtë e çmimeve, veçanërisht me rajonin, ka rritur kërkesën për të blerë prona me qëllim investimi, nëpërmjet dhënies së qirave në Tivar në Malin e Zi apo Selanik në Greqi.
Blerësit e pronave jashtë shtetit janë sipërmarrës dhe individë me të ardhura të larta. Të pasur të tjerë kanë investuar në disa zona të shtrenjta të Europës, me qëllim banimi, ndërsa parapëlqehet edhe Zvicra për prona komerciale, për shkak të moskufizimit të ligjit.
Ekspertë të tregut pohojnë se kjo tendencë është zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, duke përfshirë edhe atë për blerje shtëpie përtej Oqeanit Atlantik, në shtetet e SHBA-së, për shkak të lehtësive fiskale për investimet në sektorin e pasurive të patundshme.
Përveç Europës dhe rajonit, dy vitet e fundit është rritur kërkesa për blerje pronash në Dubai. Agjencitë e pasurive të patundshme pohojnë se arsyeja e investimit në këtë treg janë çmimet e larta në Tiranë, sidomos qendrës, norma shumë e lartë e kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies mbi 20 vjet krahasuar me Dubain që është deri në 10 vjet.
Për prona të caktuara me pozicion gjeografik të favorshëm, kthimi i investimit në Dubai shkon deri në 5 vjet. Arsyet e tjera të rritjes së kërkesës në këtë treg janë edhe lehtësitë fiskale, që nga zero taksa për tatimpaguesit, pranimi i parasë cash në blerje dhe mosdeklarimi i origjinës së tyre.
Sipas të dhënave të seksionit të llogarive kombëtare të INSTAT, në vitin 2020, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri për prona jashtë vendit arritën 65,5 mld lekë. Krahasuar me 2019-n, shpenzimet janë ulur 6%.
Shpenzimet erdhën duke u rritur pas krizës së vitit 2008. Nga 6 mld lekë shpenzime për prona jashtë vendit në 2007-n, një vit më pas, më 2008, kjo vlerë u rrit më shumë se pesëfish, në 32 mld lekë.
Gjatë periudhës 2008-2013, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri për prona jashtë vendit ishin rreth 208 mld lekë apo 1,8 mld euro. Në vitin 2013, pati rënie të treguesit, ku shihet të jenë shpenzuar vetëm 11 mld lekë, ose tre herë më pak se më 2012.
Blerjet e pronave jashtë vendit nisën sërish me ritme të shpejta pas vitit 2014. Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2014 deri në vitin 2018, shpenzimet e shqiptarëve për prona jashtë vendit arritën në 1,5 mld euro.
Në periudhën nga viti 1996 deri në 2020, rekordin e mban viti 2019, ku investimet arritën në vlerën e 69,7 mld lekëve, apo 606 mln eurove. Në 24 vitet e fundit, të ardhurat për blerje pronash jashtë vendit arrijnë në vlerën e rreth 5 mld eurove.