Nafta Brent, treguesi ndërkombëtar, arriti të dielën më shumë se 30% rritje, duke kapur në një moment 119 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Rritja dramatike erdhi pas frikës për një ndërprerje të zgjatur të furnizimeve energjetike globale, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Kuotimi më pas u stabilizua në rreth 110 dollarë për fuçi, pasi The Financial Times raportoi se ministrat e financave të G7 do të diskutonin përdorimin e rezervave të naftës në koordinim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë.
Presidenti amerikan Donald Trump komentoi situatën duke thënë se: “Këto çmime afatshkurtra të naftës, të cilat në fakt do të bien shpejt kur kërcënimi bërthamor iranian të shkatërrohet, janë një çmim shumë i vogël për SHBA-në dhe për sigurinë dhe paqen në botë.”
Analistët paralajmërojnë se nëse bllokimi i Ngushticës së Hormuzit vazhdon deri në fund të marsit, çmimet e naftës mund të arrijnë rekord mbi 150 dollarë për fuçi. Kjo rritje ka të ngjarë të ndikojë drejtpërdrejt edhe te çmimet e karburantit, benzinës dhe produkteve të tjera derivate, përfshirë karburantin e avionëve.
Situata mbetet e tensionuar ndërsa tregjet globale monitorojnë ngushticën strategjike, që kontrollon rreth 30% të eksporteve botërore të naftës dhe 20% të gazit natyror.






