Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme nuk po i vuajnë vetëm palët e përfshira, por e gjithë bota.
Gjatë një takimi të Forumi Ekonomik Botëror në Stamboll, Erdogan e cilësoi luftën si “të pakuptimtë, të paligjshme dhe të panevojshme”, duke theksuar se kostoja e saj po shpërndahet globalisht.
“Kur diplomacia dhe dialogu ofrojnë terren të përbashkët, barra e sabotimit të këtyre rrugëve bie mbi gjithë njerëzimin,” u shpreh ai, duke bërë thirrje për rikthim te negociatat.
Kreu i shtetit turk paralajmëroi se nëse përshkallëzimi vijon, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në rajon, pasi ato tashmë po ndikojnë në sektorë kyç si energjia, prodhimi, teknologjia e informacionit, transporti dhe rrjetet tregtare globale.
Sipas tij, distanca gjeografike nuk garanton më siguri në një botë të ndërlidhur, duke nënvizuar nevojën urgjente për zgjidhje diplomatike.






