Shumë thonë të gjesh dashurinë sot është e vështirë, por kërkimi i saj në aplikacionet e takimeve është bërë histori moderne romantike, ku vetëm me një ‘swipe’ mund të përballesh ndoshta me personin e zemrës.
Platforma të tilla ofrojnë një grup të madh partnerësh të mundshëm, duke kapërcyer kufinjtë tradicionalë gjeografikë dhe socialë. Por nuk janë të paktë individët që ndihen skeptikë për t’u regjistruar në platforma të tilla apo që kanë frikë, megjithatë shumë kanë gjetur marrëdhënie të vërteta dhe kuptimplota që kanë lulëzuar përmes këtyre ndërveprimeve digjitale. Ata kanë arritur të shndërrojnë mesazhet kalimtare në lidhje të thella dhe të qëndrueshme.
Si një mënyrë e përshtatshme në botën digjitale, çfarë mund të na ofrojnë aplikacionet e dashurisë? Fillimisht duhet të njihemi me platformat më të përdorura, që mund të ofrojnë më shumë mundësi për të gjetur dashurinë tuaj.
Sipas një ankete të bërë nga Forbes Health, rezulton se:
– 38% përdorin Plenty of Fish
– 29% përdorin aplikacionin Bumble
Dukshëm, Tinder-i ka ‘përdoruesit më të zjarrtë’, duke marrë parasysh përqindjen e lartë të logimeve në këtë platformë. Por nga kush përdoret Tinder-i? Nga anketa, rezulton se 66% e përdoruesve i përkasin Gjeneratës Z (grupmosha 12-27 vjeç).
Në radhë të dytë vijnë Millenials (mijëvjeçarët) që shënojnë 53% (28-43 vjeç), ndërsa vendin e tretë e mbajnë Gen X (Gjenerata X, 44-59 vjeç) me 37%. Më pak i përdorur është nga gjenerata e Baby Boomers, ose grupmosha 60-78 vjeç, të cilët shënojnë 20% të përdorimit në këtë aplikacion.
Por çfarë lloj marrëdhëniesh kërkohen nga përdoruesit e aplikacioneve të dashurisë? Nuk kanë qenë të pakta rastet që kemi dëgjuar apo lexuar se këto aplikacione shërbejnë vetëm për lidhje afatshkurtra e të pakuptimta, me idenë se nuk mund të gjesh njeriun e zemrës përmes teknologjisë. Por hulumtimi i Forbes Health tregon të kundërtën, sepse numri më i lartë i përdoruesve kërkojnë lidhje serioze përmes këtyre platformave, të cilat në ditët e sotme, për shumë individë qëndrojnë si një fijë shprese për të gjetur dashurinë.
Sërish, listën e kryesojnë Gjenerata Z, me 52% që kërkojnë lidhje serioze në këto aplikacione. Më pas vijnë Millenials (mijëvjeçarët) me 49%, Gjenerata X me 47% dhe Baby Boomers po me 47%. Sigurisht nuk mund të përjashtojmë dhe individët që kërkojnë partnerë kalimtarë, të cilët shënojnë 20%. Po kështu kemi dhe grupimin “friends with benefits” ose në shqip “miqësi me përfitime”, të cilët përbëjnë 10%, të interesuar më së shumti në afeksionet fizike sesa ato shpirtërore.
Sa kohë shpenzojnë njerëzit në këto platforma? Mesatarisht rezulton se 51 minuta në ditë i kushtohen këtyre aplikacioneve. Gratë dhe vajzat raportohen të qëndrojnë pak më gjatë, rreth 52 minuta në ditë, në krahasim me burrat dhe djemtë që shpenzojnë mesatarisht 49 minuta në ditë. Përsa i përket brezave, këtë herë kryesojnë Millenials me 55.7%, në radhë të dytë Gjenerata X me 49.7%, të tretët Gjenerata Z me 49.6% dhe të fundit Baby Boomers me 36.8%.
Por ashtu si çdo platformë tjetër digjitale, njerëzit mund të bëhen të varur ndaj përdorimit të saj. Bazuar në këtë, është e rëndësishme që këto aplikacione dhe gjetja e dashurisë të mos ndikojnë në aktivitetet tuaja të përditshme apo në mënyrën e të menduarit.
Përdorimi i gënjeshtrave “të bardha”. Përse identifikohemi ndryshe në këto aplikacione? Nëse ballë për ballë e kemi të vështirë të “mburremi” për veten, përmes mesazheve e kemi shumë herë më të thjeshtë të përdorim sadopak “gënjeshtra të bardha” për të bërë personin përtej ekranit të krijojë një pëlqim për ne. Rreth 21% e të anketuarve shprehin se kanë gënjyer për moshën e tyre, dhe kryesisht janë burrat që e bëjnë këtë (23%) sesa gratë (19%).