Një 24-vjeçar shqiptar është dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u shpall fajtor për sjellje kontrolluese dhe detyruese ndaj partneres së tij. I dënuari është Berajd Mazari, i cili u gjykua në Gjykatën e Kurorës në Oxford.
Sipas mediave britanike, Mazari kontrollonte mënyrën se si viktima vishej, miqtë me të cilët ajo takohej dhe në disa raste e detyronte të konsumonte drogë. Ngjarjet për të cilat ai u akuzua ndodhën në qytetin Banbury gjatë vitit 2024.
Një juri në Oxford e shpalli 24-vjeçarin fajtor për sjellje kontrolluese dhe detyruese, si dhe për posedim të një arme zjarri imituese. Ai pranoi gjithashtu fajësinë për posedim kanabisi dhe kokaine, si dhe për mbajtjen e një patente italiane të falsifikuar.
Megjithatë, Mazari u shpall i pafajshëm për akuzat e mbytjes së qëllimshme, përdhunimit dhe rrëmbimit.
Gjykata e dënoi atë me 30 muaj burg, ndërsa vendosi edhe një urdhër ndalimi kontakti për shtatë vite me viktimën dhe nënën e saj. Po ashtu u urdhërua konfiskimi dhe shkatërrimi i drogës, patentës së falsifikuar, thikave dhe një arme BB të sekuestruara në pronën e tij.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Hassan Khan tha se i pandehuri kishte kërcënuar dhe sulmuar viktimën në disa raste, duke e kontrolluar jetën e saj dhe duke e detyruar të përfshihej edhe në aktivitete të lidhura me drogën. Sipas tij, 24-vjeçari kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në moshën 18-vjeçare dhe aktualisht nuk ka status të vlefshëm emigracioni në vend.






