Detaje të reja nga operacioni “Ura” zbulojnë komunikime të rrjetit kriminal mes Orges Mollës dhe Emri Hysenaj për trafikun e kokainës në Itali. Në dosjen e SPAK, mesazhet e shkëmbyera në platformën SKY ECC tregojnë bisedat mbi borxhet dhe pagesat për lëndën narkotike, si dhe përmendjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në rrjet.
Në një nga bisedat, Molla i thotë Hysenajt:
“Do i marrë borxh me shqipt të martën, maksimumi ja mbyllim të gjitha….”
Ndërsa më vonë shkëmbejnë foto të parave që do t’i dorëzohen për transportin e drogës:
“Deri tani isha tek porti, nuk gjeta njeri të besueshëm… Po ti i mbllo të gjitha lekët.”
Sipas hetimeve, transporti i kokainës u realizua nëpërmjet një kamionçine Nissan Cabstar nga Bari, Itali, ku një person i paidentifikuar i dorëzoi Agron Ganajt shumën prej 76.000 eurosh për lëndën narkotike.
Ky rast është pjesë e hetimeve ndërkombëtare të koordinuara mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, duke përfshirë Prokurorinë e Barit, që ka kërkuar masa sigurie ndaj personave të përfshirë.






