11.5 C
Tiranë
Friday, November 22, 2024
spot_img

Dëshmia tronditëse e vajzës shqiptare/“Isha shtatzënë, më lidhi këmbë e duar dhe më rrahu sa abortova!”

Në Kosovë viti që e lamë pas shënoi rritje të numrit të rasteve të dhunës ndaj gruas. Vetëm gjatë vitit 2021, një mijë e 986 gra kanë qenë viktimë e kësaj dhune.

“Vëllezërit janë shkolluar e motrat jo, të gjitha jemi pa shkollë, kështu që jeta ime ka qenë gjithmonë e mbyllur brenda shtëpisë, brenda mureve”, thotë Afërdita, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë por është ndryshuar për shkaqe sigurie. Ajo lindi në një fshat të Kosovës në një kohë kur shkollimi i vajzave thotë se konsiderohej turp.

Në të 20-at, Afërdita u martua me një burrë që nuk e njihte. E kishte takuar vetëm një herë, kur ishin marrë vesh familjet për martesën e tyre.

“Tri vite i kam pasur të mira, aq sa nuk kam pasur asnjë të keqe prej tij, as nuk më ka lënduar, as nuk më ka fyer, ka qenë shumë fukara, por këto nuk m’i ka bërë. Por, pas tri vitesh ka ndryshuar me të madhe”, thotë ajo.

Jeta e Afërditës mori kahje tjetër kur bashkëshorti i saj nisi të ushtronte fillimisht dhunë psikologjike e më pas edhe dhunë fizike ndaj saj.

“Kam qenë shtatzënë, rreth tre muaj e gjysmë më kanë rrahur prap, m’i kanë lidhur këmbë e duar dhe më kanë goditur aq sa kanë mundur, aty e kam abortuar fëmijën tim”, rrëfen Afërdita.

Thuajse çdo ditë, thotë ajo, ndodhej mes jetës e vdekjes…

“Kanë tentuar me armë të më vrasin. I ka vendosur dorezat që mos të ketë gjurmë të gishtërinjve, dhe ka dashur të ma lejë armën mua kinse kam bërë vetëvrasje”, thotë ajo.

Pas shumë vitesh, duke e ditur, siç rrëfen ajo, se nuk e ka as mbështetjen e familjes, Afërdita vendosi të njoftojë policinë një ditë kur ishte rrahur rëndë.

“Kur më ka rënë shati në kokë më ka humbur vetëdija një kohë, por më është kthyer pas një kohe dhe kam qenë e vetëdijshme aq sa të mundohem për jetën time, më ka ndihmuar Allahu fuqiplotë dhe ja kam marrë telefonin, e kam lajmëruar policinë dhe kanë vonuar 20 minuta. Unë gjakun e kam pasur duke rrjedhur pa ndërprerë, i kanë edhe fotografitë në polici që e kam tërë trupin e gjakosur”, thotë ajo.

Afërdita me dy fëmijë, është vendosur në një shtëpi të sigurt për gratë që përjetojnë dhunë në familje.

Drejtoresha e kësaj shtëpie, Fidane Hyseni, thotë se çdo vit aty strehohen 80 deri në 100 viktima të dhunës në familje.

“Pas akomodimit të viktimave, ne ofrojmë ushqim, higjienë, veshmbathje, aktivitete rekreative. Organizojmë edhe kurse për të kaluar kohën e viktimave, si kursi i kuzhinës, rrobaqepësisë, është edhe edukimi shëndetësor”, thotë ajo.

Sfidë për shtëpitë e tilla mbetet financimi i paqëndrueshëm, thotë zonja Hyseni, gjë që sipas saj pamundëson edhe ndërtimin e një objekti të ri, meqë objekti aktual nuk i plotëson të gjitha kushtet.

“Ende nuk ka linjë buxhetore të dedikuar për strehimore nga qeveria, jo vetëm Mitrovica por të gjitha strehimoret e kemi këtë problem fillimvitin. Nevojat e strehimores janë që objekti të ndërtohet nga komuna e Mitrovicës, ose nga tri komunat Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj meqë kemi shumë viktima edhe nga Skenderaj edhe nga Vushtrria”, thotë zonja Hyseni.

Qëndrimi fillestar i lejuar në shtëpi të tilla për viktimat e dhunës është 6 muaj, por kjo kohë shpesh zgjatet meqë riintegrimi i këtyre grave në shoqëri, është punë e vështirë.

Afërdita thotë se misioni i saj jetësor është të sigurojë jetën dhe shkollimin e fëmijëve të saj, por pa mbështetjen e askujt mundësitë e përmbushjes së këtij misioni janë të pakta.

“Kam dëshirë ta shoh veten të lumtur me fëmijët e mi, që fëmijët e mi të shkollohen e të jenë të aftë, të arrijnë fëmijët e mi, ani që unë nuk kam arritur me shkollë dhe gjëra të tjera – të arrijnë fëmijët e mi”, thotë ajo.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, viti 2021 ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje. Derisa në vitin 2020 nga 2101 raste të dhunës në familje – 1636 viktima kanë qenë gra, në vitin 2021 nga 2486 raste të dhunës në familje 1968 viktima kanë qenë gra.

Por, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në vazhdimësi thonë se ky numër nuk pasqyron gjendjen reale meqë edhe më tutje dhuna në familje në Kosovë konsiderohet si problem që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT