Policia e shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat pas operacionit të zhvilluar në bashkëpunim me “Guarda di Finanzia” në Karaburun ku u bë e mundur kapja e trafikantëve të drogës të cilët po shkëmbenin me skafe 992 kilogramë kanabis.
Mësohet se për realizimin e operacionit janë angazhuar 250 forca policore. Ndërsa në pranga kanë rënë 3 shtetas shqiptarë me banim në Vlorë, Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç si dhe u shpall në kërkim Gregor Likaj, 33 vjeç. Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe dy shtetas ukrainas, Bychkovi Serhii 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.
Lënda narkotike kishte si destinacion final Greqinë.
Njoftimi i Plotë:
Konferencë e përbashkët për shtyp
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Kryekomisar Gentian Berberi, konferencë për shtyp, së bashku me prokurorin e Prokurorisë Sarandë Anton Pali dhe homologët italianë.
Përshëndetje,
Finalizohet me sukses megaoperacioni policor ndërkombëtar i koduar “SYRI”.
Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Delta Forcë, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
Operacioni u zhvillua nga ajri, deti dhe toka.
Sekuestrohen rreth 1 ton lëndë e dyshuar narkotike marijuanë.
Vihen në pranga nga Policia e Vlorës, 3 shtetas, si dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Gjithashtu, vihen në pranga nga Guardia di Finanza, 2 drejtuesit e mjetit lundrues në të cilin u gjet lënda narkotike.
Sekuestrohen nga Policia e Vlorës, 3 mjete lundruese (skafe) dhe 2 automjete, ndërsa nga GDF u sekuestrua mjeti lundrues në të cilin u gjet lënda narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit, për goditjen e tentativave për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe koordinimit të veprimeve me GDF-në dhe Zyrën e Interforcës Italiane, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, u finalizua me sukses një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Delta Forcë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, bazuar në informacionet e marra nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit se disa shtetas kishin transportuar drejt një mjeti lundrues, një sasi lënde narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin e koduar koduar “SYRI”.
Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.
Si rezultat i operacionit, nga shërbimet e Policisë së Shtetit u bë i mundur identifikimi i personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit.
Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve me iniciale A. S., 31 vjeç, S. I., 22 vjeç dhe Q. P., 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. L., 33 vjeç, të katërt keta banues në Vlorë.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit me iniciale B. S., 43 vjeç dhe S. S., 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.
Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellesi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.
Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. I., në Vlorë, shërbimet e DVP Vlorë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celulare dhe 2 automjete.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të personave të tjerë të implikuar në trafikimin e lëndës narkotike.
Ky operacion është tregues i qartë i bashkëpunimit mjaft të mirë me GDF, Zyrën e Interforce së Policisë Italiane dhe Oficerët e Policisë Italiane pranë QNOD, si dhe i masave të marra nga Policia e Shtetit, për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sigurojmë qytetarët, se Policia e Shtetit është tërësisht në shërbim të tyre, për t’ju ofruar një shërbim sa më cilësor dhe parametrat më të mira të rendit e të sigurisë, si dhe është shumë e vendosur për të luftuar bashkërisht me partnerët, dhe agjensite ligjzbatuese krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme.