“Çdo insinuatë për cenim të integritetit është i pavend dhe i papranueshëm”
Kompania ndërkombëtare e transportit DHL ka reaguar për herë të parë lidhur me operacionin e dërgimit dhe kthimit të votave të diasporës shqiptare për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në një njoftim zyrtar, DHL thekson se ka përfunduar me sukses të plotë këtë proces kompleks, duke mbuluar 85 shtete të botës dhe duke respektuar të gjitha protokollet dhe kushtet kontraktuale me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas kompanisë, gjatë këtij operacioni u realizuan 245,704 dërgesa, nga të cilat u kthyen në KQZ 201,586 vota, duke shënuar një normë realizimi prej 82%. Nga ana tjetër, votat e dorëzuara me sukses në destinacionin përkatës arritën në 227,914, që përbën një përqindje të suksesshme prej 92.76%.
Procesi u monitorua në kohë reale nga Qendra e Kontrollit të Cilësisë për Europën (QCC Europe), me drejtimin e drejtorit të kësaj qendre në Gjermani, duke siguruar përputhshmërinë me standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë.
“DHL Albania, pjesë e rrjetit global të DHL-së me prani në mbi 220 vende, realizoi këtë projekt në një afat rekord, duke garantuar saktësi, siguri dhe transparencë në procesimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore. Për këtë qëllim, u aktivizua një avion dedikuar që operoi çdo ditë deri në afatin e fundit të vendosur nga KQZ,” thekson njoftimi.
DHL vlerëson se sfidat e shumta, që nga kufizimet kohore, kompleksiteti gjeografik e deri te problematikat në cilësinë e të dhënave, u tejkaluan me profesionalizëm përmes përdorimit të teknologjisë dhe infrastrukturës së avancuar. Kompania siguron se integriteti i shërbimit të saj mbetet i paprekshëm, pa ndikim financiar apo politik.
Gjithashtu, kompania thekson respektimin e plotë të detyrimeve kontraktuale me KQZ, si dhe zbatimin e protokolleve për dërgimin dhe shpërndarjen e votave në të gjitha shtetet përfituese. Transparenca dhe kontrolli i vazhdueshëm, si dhe mundësia e vëzhgimit nga subjektet politike, janë cilësuar të gjithanshme dhe të mirëpritura, duke marrë vlerësime maksimale nga të gjithë vëzhguesit.
Në përfundim, DHL thekson: “Çdo insinuatë për cenim të integritetit është i pavend dhe i papranueshëm”. Kompania e cilëson këtë projekt si një reflektim të angazhimit të saj për të lidhur njerëzit dhe përmirësuar jetën e tyre, duke mbështetur procesin demokratik të votimit të shqiptarëve në diasporë.






