Në shtator të vitit 2025, gjatë prezantimit të qeverisë së tij të katërt radhazi, kryeministri Edi Rama prezantoi një risi që tërhoqi vëmendje edhe jashtë kufijve të vendit: një chatbot i quajtur “Diella”, i emëruar simbolikisht Ministre Shteti për Inteligjencën Artificiale dhe i promovuar si “ministrja e parë e AI në botë”. Sipas Ramës, Diella do të garantonte një epokë të re transparence, ku tenderat publikë do të ishin “100% pa korrupsion”.
Chatboti funksionon si pjesë e platformës qeveritare e-Albania, e administruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucion që varet drejtpërdrejt nga Kryeministria. AKSHI ka pasur një rol kyç në digjitalizimin e shërbimeve publike, por edhe në ushtrimin e ndikimit të qeverisë mbi hapësirën digjitale dhe mediatike, përfshirë kufizimin e aksesit në platforma sociale dhe implementimin e sistemeve të ndjeshme teknologjike.
Megjithatë, premtimi për një administratë digjitale të pastër nga korrupsioni është vënë seriozisht në dyshim pas zhvillimeve të fundit. Më 16 dhjetor 2025, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, u arrestua nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe u mor e pandehur nga SPAK, së bashku me disa zyrtarë dhe biznesmenë, nën akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash, rrëmbim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Aktualisht, Karçanaj ndodhet në arrest shtëpie.
Karçanaj konsiderohet një bashkëpunëtore e hershme e kryeministrit Rama. Ajo u shfaq për herë të parë në administratë si drejtoreshë e IT-së në Bashkinë e Tiranës gjatë viteve 2007–2011, kur Rama ishte kryebashkiak. Pas ardhjes së PS-së në pushtet në vitin 2013, ajo u emërua drejtoreshë e AKSHI-t, ndërsa në vitin 2017 agjencia kaloi nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kryeministrisë, me një rritje të ndjeshme të buxhetit dhe kompetencave.
Dosja e SPAK-ut ka rrënjë në disa hetime të nisura që prej vitit 2023, të cilat fillimisht dukeshin të palidhura mes tyre: raste kontrabande dhe trafiku mallrash, një çështje trafiku droge e ardhur nga Italia, rrëmbimi i një shtetasi shqiptar dhe procedura të dyshimta tenderimi në AKSHI. Me kalimin e kohës, këto fije u bashkuan në një hetim të vetëm kompleks, nga i cili dosja aktuale përbën vetëm fazën e parë.
Sipas SPAK-ut, Karçanaj dhe bashkëpunëtorët e saj kishin ndërtuar një skemë të mirëorganizuar për paracaktimin e fituesve të tenderave publikë nën autoritetin e AKSHI-t. Skema përfshinte përcaktimin e kritereve të konkurrimit në mënyrë të tillë që të përjashtoheshin operatorë të caktuar ekonomikë, si dhe skualifikimin artificial të ofertuesve rivalë, për të garantuar fitoren e kompanive të paracaktuara.
Elementi që e bën këtë çështje edhe më të rëndë, sipas hetuesve, është përdorimi i dhunës. SPAK ka dokumentuar raste ku operatorë ekonomikë, që kishin ushtruar të drejtën e ankimimit pranë institucioneve përkatëse, janë kërcënuar, rrëmbyer dhe detyruar të tërhiqen nga garat.
Në dosje përfshihet dëshmia e një biznesmeni të fushës së IT-së, i cili rrëfen se u rrëmbye nga persona të veshur me uniformë të ngjashme me atë të BKH-së, u prangos, iu mbulua koka dhe u dërgua me forcë në një zonë pranë Elbasanit. Aty, sipas tij, u kërcënua me armë dhe u detyrua të tërhiqte ankesat për shtatë tendera të AKSHI-t. Më pas, ai u detyrua të telefononte administratorin e kompanisë së tij për të konfirmuar tërheqjen, ndërsa iu kërcënua jeta e tij dhe e familjarëve nëse do të bënte kallëzim.
Hetimet tregojnë se të gjithë tenderat nga të cilët biznesmeni u detyrua të tërhiqej lidhen me kompani të kontrolluara nga biznesmeni Ermal Beqiri, i cili është gjithashtu i pandehur në këtë çështje. Dosja përmban edhe regjistrime video të realizuara nga një tjetër biznesmen, Ergys Agasi, ku dokumentohen takime mes tij, Karçanajt dhe Beqirit për menaxhimin e situatave problematike me tenderat.
Sipas SPAK-ut, Beqiri, përmes kompanisë së tij “Soft & Solution”, fitonte tenderat e AKSHI-t me vlera të fryra artificialisht. Më pas, kompania e Agasit, “EA Solution”, lëshonte fatura fiktive për shërbime dhe qira ndaj “Soft & Solution”, duke nxjerrë jashtë fonde publike. Vetëm gjatë periudhës 2023–2025, vlera e faturave fiktive mes këtyre dy kompanive ka kaluar 1 milion euro, ndërsa përmes një skeme të ngjashme janë dokumentuar edhe fatura mbi 23 milionë euro ndaj një kompanie tjetër, “Fastech”.
Fondet e përfituara lidhen me projekte sensitive si platforma e-Albania, qendrat e të dhënave, sistemet e Policisë së Shtetit, Thesarit, burgjeve dhe sisteme të avancuara të sigurisë digjitale.
Ndërsa hetimet vijojnë dhe priten faza të tjera të dosjes, skandali ka hedhur hije të rënda mbi projektin e “Diellës” dhe premtimin për një administratë digjitale të pakorruptueshme, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë menaxhuar tenderat dhe pushteti teknologjik në Shqipëri.






