Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një tjetër aksion kundër ndotjes së hapësirave publike, duke ndëshkuar një rast të depozitimit të paligjshëm të mbetjeve inerte, pas një ankese të paraqitur nga një qytetar.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ka kryer verifikime në terren, ku ka konstatuar shkeljen dhe ka identifikuar personat përgjegjës. Këta të fundit janë ndëshkuar administrativisht, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë organeve kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.
Në lidhje me rastin, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, theksoi se kontrollet në territor do të vijojnë pa ndërprerje. Ai nënvizoi se Policia Bashkiake po ushtron me përkushtim detyrën për mbrojtjen e hapësirave publike dhe respektimin e ligjit.
“Ky rast duhet të shërbejë si një mesazh i qartë për çdo ndërtues apo kompani që të respektojë ligjin. Bashkia e Tiranës monitoron në mënyrë të vazhdueshme territorin dhe mban nën vëzhgim çdo kantier ndërtimi,” u shpreh Sulaj.
Bashkia u bën thirrje qytetarëve që të vijojnë të denoncojnë çdo rast të ndotjes së mjedisit apo shkeljes së ligjit në hapësirat publike, duke theksuar se bashkëpunimi me komunitetin është kyç në mbrojtjen e qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.






