Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se një ndryshim i mundshëm i regjimit në Iran “duket si gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të ketë “fuqi të jashtëzakonshme” amerikane në Lindjen e Mesme. Deklaratat erdhën pasi Pentagoni dërgoi një aeroplanmbajtëse të dytë në rajon, duke rritur ndjeshëm praninë ushtarake amerikane.
Komentet e Trump vijnë në një moment kur Uashingtoni dhe Teherani po kërkojnë të ringjallin diplomacinë mbi programin bërthamor iranian dhe mosmarrëveshjet e kahershme me Perëndimin.
Sipas një burimi të informuar për Reuters, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të zhvillojnë negociata me Iranin në Gjenevë, me ndërmjetësim nga Omani. Po ashtu, ata do të takohen edhe me zyrtarë nga Rusia dhe Ukraina në përpjekje për të çuar përpara përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.
I pyetur drejtpërdrejt nëse dëshironte ndryshim regjimi në Iran, Trump u përgjigj: “Duket sikur kjo do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, por nuk specifikoi se kë do të donte në krye të vendit. Ai kritikoi ashpër udhëheqjen iraniane, duke theksuar se për dekada me radhë kanë folur pa arritur zgjidhje konkrete.
Nga ana tjetër, SHBA kërkon që çdo marrëveshje e re të përfshijë jo vetëm programin bërthamor, por edhe raketat balistike të Iranit dhe mbështetjen e tij për grupet e armatosura në rajon. Teherani ka deklaruar se është i gatshëm të diskutojë kufizime mbi programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, por ka përjashtuar lidhjen e kësaj çështjeje me raketat.
Trump ka paralajmëruar sulme nëse nuk arrihet një marrëveshje, ndërsa Irani ka sinjalizuar se do të reagojë ndaj çdo veprimi ushtarak. Rritja e forcave amerikane në rajon ka shtuar shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.






