Në dosjen voluminoze prej 500 faqesh të përgatitur nga SPAK mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, përveç katër të pandehurve kryesorë, në krye me Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, përmenden edhe emra të tjerë të njohur. Më poshtë janë disa prej tyre:
Damir Fazlliç
Një nga emrat më të njohur të përmendur në dosjen e SPAK është ai i Damir Fazlliç, një shtetas serb dhe klient i familjes Berisha. Marrëdhënia e tij me Argita Malltezin është një nga pikat kryesore të akt-akuzës. Në vitin 2007, Jamarbër Malltezi bleu disa toka në Porto Romano për 19 milionë lekë, të cilat ia shiti pas një muaji Damir Fazlliçit për 396,235 euro. Shoqëria e Fazlliçit, “Alpha”, u krijua në maj të vitit 2007 dhe ekspert kontabël u caktua Shpresa Breçani, mbesa e Sali Berishës, që kishte ndjekur aspektin financiar të privatizimit të Klubit Partizan. Në dosjen e SPAK, theksohet se familja Berisha dhe bashkëpunëtorët e saj blinin toka me çmime të ulëta dhe më pas i shisnin me fitime të larta, falë informacionit të brendshëm për projektet e ardhshme zhvillimore të zonave, siç ishte Porto Romano.
Bashkim Ulaj
Një tjetër emër i përmendur është ai i Bashkim Ulajt, pronar i kompanisë ndërtuese A.B.A.U dhe familjar me lidhje të afërta me familjen Berisha. Ulaj dhe kompania e tij kanë ndërtuar disa apartamente dhe pasuri që rezultojnë në pronësi të Jamarbër dhe Argita Malltezit. Një apartament në rrugën Mustafa Matohiti, vlerë 205 mijë euro, rezulton të mos jetë deklaruar saktësisht nga Malltezët, sipas SPAK. Gjithashtu, është përmendur një tarracë prej 35 m² dhe një garazh i blerë në vitin 2002 për 10 mijë euro, të cilat nuk janë raportuar në deklaratat financiare të Argita Malltezit.
Ndrea Prendi
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i cili luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet e përgjakshme të 21 Janarit 2011, përmendet gjithashtu në dosjen e SPAK. Prendi ishte fqinj me Jamarbër Malltezin dhe kishte marrëdhënie të afërta me të. Ai ka qenë një nga personat që ka ndihmuar në tërheqjen dhe pagesën e çeqeve për rregullime apartamenti për Jamarbër Malltezin. Ky fakt tregon se marrëdhënia e tij me familjen Berisha nuk filloi vetëm kur u bë komandant i Gardës, por shumë vite më parë.
Safet Gjici
Një tjetër emër i njohur në dosje është Safet Gjici, ish-kryebashkiaku socialist i Kukësit, i cili gjithashtu është përfshirë në marrëveshje me familjen Malltezi. Ai bleu një apartament nga Argita dhe Jamarbër Malltezi në vitin 2008 për 129,800 euro, të cilin çifti e kishte blerë nga Enti i Banesave për shumë më të vogël. Megjithatë, SPAK ka zbuluar se Argita Malltezi ka vazhduar të deklarojë përfitim nga qiraja për të njëjtin apartament edhe pasi ai ishte shitur, duke përfituar 1170 euro në muaj deri në vitin 2012.
Këto të dhëna dhe emra janë vetëm një pjesë e asaj që përmban dosja e SPAK mbi aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani, duke nxjerrë në dritë lidhjet e ngushta mes politikës dhe biznesit në Shqipëri.