Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur këtë të martë komunikimin e akuzave për një pjesë të të përfshirëve në dosjen e njohur si “Bankers”.
Pesë shtetas – Fatmir Hoxhaj, Alban Beqaj, Ergy Cirici, Elvira Plaka dhe Ridvan Zoto – akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”. Sipas burimeve, komunikimi i akuzave në këtë fazë lidhet me afatet ligjore për të shmangur parashkrimin e veprës penale.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për pjesën tjetër të grupit, të cilët dyshohen për vepra më të rënda si korrupsion, pastrim parash dhe përfshirje në grup kriminal.
Në qendër të kësaj dosjeje janë ish-administratori i Bankers Petroleum, Leonidha Çobo, si dhe CEO-ja kinez Hong Ping Xiao, ndërsa disa shtetas të huaj rezultojnë ende në kërkim.
Masat e sigurisë të vendosura më herët, si arresti me burg apo arresti shtëpiak, janë zbutur dhe aktualisht asnjë prej të dyshuarve nuk ndodhet në arrest.
Hetimi, i nisur fillimisht nga Prokuroria e Fierit dhe më pas i kaluar për kompetencë SPAK-ut, ka zbuluar se për më shumë se dy dekada dyshohet të jenë përdorur skema të evazionit fiskal dhe shmangies së detyrimeve tatimore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme në miliarda lekë.






