Detaje të reja kanë dalë nga dosja e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në hetimin ndaj Benet Beci, aktualisht kryetar i Bashkisë Shkodër.
Sipas materialeve hetimore, një nga personat e përmendur në dosje, Dritan Dakoli, rezulton të ketë pasur komunikime të shumta me Ervis Berberi. Bisedat janë administruar nga telefonat e këtij të fundit dhe lidhen me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 700 mijë euro.
SPAK dyshon se për tenderin në fjalë janë përcaktuar kritere dhe fondi limit në mënyrë të paracaktuar. Në një nga komunikimet, Dakoli i shkruan Berberit: “Janë ok. Do ketë por mos e specifiko, lëre siç është e shkruar. Ndërsa ekspertë që e din ti, kanë eksperienca të tilla dhe do të kenë të listuara në CV…”. Berberi i përgjigjet shkurt: “Sipas ligjit”.
Hetimi përmend gjithashtu një shkresë të datës 12 dhjetor 2019, ku Drejtori i Departamentit të Zhvillimit Strategjik në Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Blendi Bushati, i drejtohet Drejtorisë së Prokurimeve për nisjen e procedurës me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik (Projekt Kërkimor)”. Shkresës i janë bashkëlidhur “Termat e referencës”, të përgatitura nga disa specialistë të institucionit.
Një tjetër element i dosjes lidhet me Adela Ruko, bashkëshortja e Berberit, e cila në atë kohë ishte përgjegjëse e sektorit të prokurimeve në KESH. Sipas akt-ekspertimit, ajo i ka dërguar Berberit një dokument që përmbante kriteret e veçanta të kualifikimit për operatorët ekonomikë, dokument që më pas është përcjellë te Dakoli.
Në një mesazh tjetër të 12 dhjetorit 2019, Berberi i shkruan Dakolit: “Është ok? Kanë mundësi të thonë të të paraqesin dhe ndonjë projekt ku kanë punuar ekspertët? Një punë e ngjashme ka ndonjë gjë specifike në fushën e energjisë që ta fusin se duan ta nxjerrin”.
Sipas SPAK, këto komunikime po analizohen në kuadër të dyshimeve për shkelje në procedurën e prokurimit. Hetimet vijojnë për të verifikuar rolin e secilit person të përfshirë dhe përgjegjësitë eventuale penale.






