Dosjet e deklasifikuara të Jeffrey Epstein po hedhin dritë mbi një dimension të ri dhe shqetësues të veprimtarisë së financierit të diskredituar, përtej skandaleve seksuale që tronditën botën. Sipas analizës së publikuar nga La Repubblica, historia e Epstein-it nuk është vetëm një rrëfim pervers abuzimi dhe prostitucioni të organizuar, por një rrjet i errët ku seksi, pushteti, politika dhe teknologjia ndërthuren në mënyrë sistematike.
Dokumentet tregojnë se Epstein ishte i përfshirë thellësisht në botën e kriptomonedhave shumë vite përpara se ato të bëheshin fenomen global. Që prej vitit 2013, ai merrte analiza të detajuara mbi Bitcoin-in nga figura kyçe të elitës teknologjike amerikane, përfshirë ish-drejtues të MIT Media Lab dhe drejtues të kompanive blockchain. Në vitet që pasuan, ai u informua mbi konfliktet mes projekteve konkurruese si Ripple dhe Stellar dhe madje propozoi krijimin e një monedhe digjitale për Lindjen e Mesme, të përputhshme me Sheriatin.
Korrespondencat zbulojnë gjithashtu kontaktet e Epstein-it me figura politike dhe ideologjike të fuqishme si Peter Thiel dhe Steve Bannon, duke e vendosur atë në qendër të një trekëndëshi ndikimi mes teknokapitalizmit, populizmit politik dhe financave digjitale. Në vitin 2018, ai kërkonte këshilla mbi taksimin dhe rregullimin e kriptovalutave, ndërsa paralelisht financonte projekte kërkimore mbi monedhat digjitale në MIT, duke mbajtur të fshehtë identitetin e tij si donator.
Sipas mediave financiare ndërkombëtare, këto zbulime tregojnë se Epstein nuk ishte një aktor periferik, por pjesë e një rrjeti global interesash që sot përshkruhet si kompleksi ushtarako-industrial-digjital. Ironikisht, ndërsa Bitcoin-i sot luhatet fort në tregje dhe shihet si “ari digjital” i së ardhmes, dokumentet sugjerojnë se një nga bastvënësit më të hershëm dhe më të informuar ishte pikërisht Jeffrey Epstein – figura simbol e dekadencës, shantazhit dhe pushtetit të errët global.






