Shqipëria arriti të kalonte në fazën e Play Off të Botërorit si vendi i dytë në fazën e grupit. Kuqezinjtë ia dolën që të fitonin në transfertën e vështirë të Serbisë, 0-1, me golin e Manajt, duke shkaktuar një goditje të fortë për skuadrën e trajnerit Dragan Stojkovic.
Menjëherë pas asaj ndeshje erdhi edhe lajmi i shkarkimit të trajnerit të Serbisë. Sekreti i Federatës Serbe të Futbollit, Branko Radujko, i ftuar në emisionin “Mozzart Sport”, tregon detajet sesi u vendos largimi i Stojkovic menjëherë pas humbjes me Shqipërinë.
“Pas ndeshjes unë shkova te Stojkovic dhe i thashë: ‘Dragan, kaq, këtu mbaroi. As tifozët, as populli ynë e as Federata nuk mund ta durojmë më këtë. Duhet t’i japim fund tani.’ Pastaj Stojkovic më tha: ‘E kuptoj, e ndiej, do të shkoj te konferenca dhe do të them se do të largohem.’ Doli dhe aty tha se do të largohej dhe la asistentin e tij për të drejtuar ekipin në Andorra”, rrëfen Radujko.
Ky moment pasqyron vendosmërinë e Federatës Serbe dhe reagimin e menjëhershëm ndaj rezultateve negative, duke nxjerrë në pah tensionin dhe presionin që ekziston pas ndeshjeve të rëndësishme ndërkombëtare. Shkarkimi i Stojkovic vjen si pasojë e një humbjeje dramatike në një transfertë kritike dhe ndikon drejtpërdrejt në planet e ekipit serb për fazën e ardhshme të kualifikimeve për Botërorin.






