Dy shtetas shqiptarë, Albert Matraxhiu dhe Erald Paci, të dy 29-vjeç, janë paraqitur sot para gjykatës në Britaninë e Madhe për aksidentin rrugor që i mori jetën Tom Wallace, një kirurg dentar 63-vjeçar dhe baba i tre fëmijëve. Ngjarja ndodhi më 29 dhjetor 2025 në Gillingham.
Sipas raportimeve të BBC, të dy të pandehurit akuzohen se drejtonin makinën në mënyrë të rrezikshme dhe u larguan nga vendngjarja pas aksidentit. Matraxhiu nuk pranoi akuzën kryesore për drejtim të rrezikshëm, por pranoi një akuzë më të lehtë për drejtim të pakujdesshëm.
Prokuroria kërkoi që çështja të shkojë në gjyq për akuzën më të rëndë. Gjykatësi vendosi që seanca e radhës të mbahet më 13 korrik, ndërsa të dy të pandehurit do të mbeten në paraburgim deri në përfundim të gjyqit.






