Besimtarët ortodoksë në Vlorë kanë kremtuar të Premten e Madhe, një nga ditët më të rëndësishme në kalendarin fetar, që përkujton vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit.
Ceremonitë fetare janë zhvilluar në kishën “Shën Thodhori”, ku dhjetëra besimtarë janë mbledhur për të marrë pjesë në shërbesat liturgjike, në një atmosferë të qetë dhe reflektuese, të shoqëruar me lutje dhe këngë tradicionale kishtare.
Pas përfundimit të shërbesës, është zhvilluar edhe rituali i daljes së epitafit, i cili simbolizon varrimin e Krishtit. Procesioni ka vijuar nëpër rrugët e qytetit, i shoqëruar nga besimtarë dhe qytetarë të shumtë, që kanë ndjekur me përkushtim këtë traditë të hershme fetare.
E Premtja e Madhe, e njohur edhe si e Premtja e Zezë, konsiderohet një nga ditët më të shenjta dhe më të dhimbshme për të krishterët, duke simbolizuar sakrificën e Krishtit për njerëzimin.






