Një video që tregonte një qen me ngjyrë blu duke endur në zonën e ndaluar të Çernobilit, ka shkaktuar tronditje dhe spekulime në mbarë botën. Por, një ekspert ukrainas ka hedhur poshtë pretendimet se bëhet fjalë për efekte radioaktive apo mutacione gjenetike.
“Ky është absurditet,” – deklaroi Serhiy Kireev, drejtori i kompanisë shtetërore “Ecocenter”, e cila monitoron zonën e kontaminuar të ish-termocentralit bërthamor.
Sipas tij, nuk ekziston asnjë qen blu për shkak të rrezatimit në Ukrainën veriore. Kireev sqaroi se qentë janë sterilizuar, dhe ngjyra blu shërben vetëm për të identifikuar kafshët që i janë nënshtruar procedurës.
“Ngjyra është e padëmshme për këta qen,” – shtoi ai, duke theksuar se bëhet fjalë për bojë të zakonshme veterinare.
Pamjet që qarkulluan në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare kishin nxitur teori të shumta për efekte të kontaminimit radioaktiv, pas katastrofës bërthamore të Çernobilit në prill 1986 – ngjarja më e rëndë në historinë e energjisë bërthamore civile.
Ekspertët theksojnë se zona e ndaluar mbetet ende e monitoruar rreptësisht, por nuk ka dëshmi që rrezatimi të ketë shkaktuar mutacione te kafshët që jetojnë aty.






