Prej disa ditësh, në rrjet dhe më pas në media, ka qarkulluar një histori e bujshme që përfliste një lidhje jashtëmartesore mes kryetarit të Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, dhe një punonjëseje të administratës, Elda Xhakollari. Sipas raportimeve, burri i saj kishte kallëzuar penalisht për përdhunim me kërcënim, duke pretenduar se ajo ishte kapur “mat” me kryebashkiakun. Por sot, në një reagim të gjatë dhe të drejtpërdrejtë në Facebook, Elda Xhakollari ka përgënjeshtruar çdo akuzë, duke e quajtur gjithë historinë një shpifje të rëndë që ka shkatërruar emocionalisht jo vetëm atë, por edhe familjen e saj.
“Fjalët më janë mberthyer në shpirt, por tani duhet të dalin,” shkruan ajo në fillim të reagimit.
Ajo thekson se është bërë subjekt i “lajmeve të pavërteta dhe shpifëse”, që, sipas saj, kanë keqinterpretuar një situatë pune dhe e kanë nxjerrë jashtë çdo konteksti. “Një situatë e thjeshtë pune është keqinterpretuar, është nxjerrë jashtë çdo konteksti dhe është kthyer në një histori që nuk ka lidhje me realitetin tim,” vijon më tej.
Por ajo që Xhakollari e cilëson më të rëndë është dëmi emocional që kjo histori ka shkaktuar:
“Ajo që më dhemb më shumë nuk është vetëm përmbajtja e këtyre lajmeve, por dëmi emocional që kanë shkaktuar tek unë, tek familja ime, dhe mbi të gjitha, tek dy fëmijët e mi të mitur.”
“Ata nuk kuptojnë pse nëna e tyre përflitet. Nuk kuptojnë pse njerëzit flasin pa ditur, pse shpifet pa asnjë fakt. Por ata ndiejnë gjithçka. Dhe kjo më copëton më shumë se çdo gjë tjetër,” shkruan ajo me ton të fortë emocional.
Në reagimin e saj publik, Xhakollari e mohon kategorikisht që bashkëshorti i saj të ketë bërë ndonjëherë deklaratat që i janë atribuar në media:
“Bashkëshorti im nuk ka bërë asnjëherë deklaratat që pretendohet se janë thënë prej tij në media. Çdo fjalë që i atribuohet atij është një trillim.”
Duke e quajtur këtë histori një “sulm të koordinuar, të ulët dhe të tmerrshëm”, ajo paralajmëron se do të ndjekë çdo hap ligjor:
“Çdo hap i nevojshëm ligjor është duke u ndërmarrë jo për hakmarrje, por për të mbrojtur të vërtetën dhe për të thënë: MJAFTE MË!”
“Unë nuk do të hesht. Asnjë portal, asnjë komentues, asnjë njeri që përdor ‘lirinë e fjalës’ për të shpifur nuk do të mbetet pa përgjigje,” thekson ajo, duke shtuar:
“Dinjiteti im nuk është në shitje. E vërteta do të dalë. Drejtësia do të vihet në vend.”
Në përfundim të reagimit, Xhakollari i bën thirrje opinionit publik për më shumë ndjeshmëri dhe kujdes:
“Shpifja nuk është lajm. Shpifja është dhunë. Unë nuk jam një titull portali. Jam një nënë, një bijë, një njeri. Dhe e them me zë të plotë: Gjithçka që është publikuar për mua është e pavërtetë. Një shpifje. Një padrejtësi.”
Ajo falënderon ata që e kanë mbështetur në këto ditë të vështira:
“Faleminderit nga zemra të gjithëve që më kanë qëndruar pranë me fjalë mbështetjeje e dashamirësie. Kjo ka më shumë rëndësi sesa mund të përshkruaj me fjalë.”
Elda Xhakollari e mbyll deklaratën e saj me një mesazh të drejtpërdrejtë për ata që, sipas saj, janë gëzuar me dhimbjen e saj:
“Do vijë dita që do t’ju vijë turp nga vetja. Unë nuk jam si ju. Dhe sado që tentuat të më thyenit, nuk mund të më bëni si vetja.”






