Miliarderi amerikan Elon Musk ka shprehur sërish mbështetjen e tij për eurodeputetin qipriot Fidi Panajotu, duke e propozuar publikisht si kandidat për president të Bashkimit Evropian.
Reagimi i Musk erdhi pas publikimit të një videoje nga Panajotu, në të cilën eurodeputeti i ri vë në pikëpyetje mënyrën aktuale të zgjedhjes së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në deklaratën e tij, Panajotu thekson se drejtuesi i Bashkimit Evropian nuk zgjidhet realisht në mënyrë demokratike.
“Dua që drejtuesi i Bashkimit Evropian, që aktualisht është Ursula von der Leyen, të zgjidhet në mënyrë demokratike, sepse sot kjo nuk ndodh. Ajo vjen në Parlamentin Evropian dhe ne themi ‘po’ ose ‘jo’, por kjo është më shumë shfaqje sesa votim real”, shprehet Panajotu, duke shtuar se marrëveshjet paraprake politike e bëjnë procesin jo transparent.
Qëndrimi i eurodeputetit qipriot ka gjetur mbështetje te Elon Musk, i cili ka reaguar pozitivisht ndaj mesazhit të tij, duke e cilësuar Panajotun si një figurë që mund të sjellë ndryshim dhe duke e propozuar për një rol drejtues në Bashkimin Evropian.
Deklaratat kanë ngjallur diskutime të gjera në rrjetet sociale dhe në opinionin publik evropian, në një kohë kur debati mbi demokratizimin e institucioneve të BE-së vijon të jetë i fortë.






