Moderatorja Enxhi Nasufi ka folur për herë të parë rreth largimit të saj nga programi i mëngjesit në Top Channel, ku u përfol se kishte pasur edhe një përplasje fizike me ish-kolegen e saj, Neada Muça.
“E vërteta është kjo: në punë ka konflikte, ka debate. Konfrontime fizike? Kurrë! U mërzita në fillim kur lexova këtë gjë, është e shëmtuar. Nuk e doja këtë lloj vëmendjeje,” u shpreh Nasufi, duke sqaruar se mes saj dhe Neadës nuk ka pasur asnjë incident fizik, vetëm debate të formës së tyre.
Moderatorja po ashtu tregoi se nuk ka kontakte me ish-kolegen, pasi ajo e koncepton komunikimin me njerëzit në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë. “Unë i vlerësoj shumë njerëzit kur ulen me këmbë në tokë, të vijnë përballë e të komunikojnë me transparencë,” shtoi ajo.
Përveç karrierës televizive, Enxhi ka përqendruar energjitë e saj tek muzika dhe botimi i një libri, ku ndan detaje nga historia e fundit e dashurisë dhe raporti me ish-partnerin e saj. “Është historia ime, e përfunduar. E shikoj tani si një mision për njerëzit. Përfundoi si lidhje, e kam shijuar, i mora më të mirën. Jam zhgënjyer po aq sa duhet të zhgënjehesha,” u shpreh ajo.
Kur u pyet nëse ish-partneri reagoi pas botimit të librit, Nasufi tha: “Jo, nuk mendoj se e ka atë lloj perceptimi. Në libër është shkruar çdo gjë me fisnikëri, unë e di çfarë bëj. Kjo është e vërteta ime, e të dyve. Duhet guxim i madh të reagosh për këtë, kur s’ke guxim të shohësh në sy atë që ke përballë ose veten.”
Aktualisht, Enxhi nuk ka nisur projekte të reja televizive dhe është e fokusuar tek muzika, ndërsa ish-partneri i saj ka nisur një tjetër lidhje me një vajzë të njohur.






