Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore të ndërmarrin hapa konkretë për të detyruar Izraelin të respektojë marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që Izraeli i zbaton plotësisht premtimet e tij. Izraeli duhet të detyrohet përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjeve të armëve”, tha Erdogan në një deklaratë për gazetarët.
Turqia, e cila është anëtare e NATO-s dhe një ndër kritiket më të ashpra të luftës izraelite në Gaza, ka marrë së fundmi një rol më aktiv si ndërmjetëse në bisedimet për paqe, pas takimit të muajit të kaluar midis Erdoganit dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Si Turqi, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta siguruar armëpushimin. Hamasi po e respekton marrëveshjen, ndërsa Izraeli po e shkel vazhdimisht atë,” shtoi Erdogan.
Ankaraja ka konfirmuar se do t’i bashkohet një task-force ndërkombëtare që do të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit dhe është e gatshme të kontribuojë me forca ushtarake apo civile, si dhe të ndihmojë në rindërtimin e Gazës.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli kundërshton çdo përfshirje të forcave turke në territorin e Gazës.
Erdogani, duke shmangur retorikën e zakonshme ndaj Netanyahut, tha se bisedimet mbi përbërjen dhe rolin e task-forcës “janë ende në zhvillim dhe me shumë dimensione”.
Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Turqisë kanë hyrë në një fazë tensioni të lartë që prej fillimit të luftës në Gaza, me Ankaranë që e akuzon qeverinë izraelite për “gjenocid” – një akuzë që Izraeli e mohon kategorikisht.






