Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar sot në Kuvendin e Shqipërisë duke u shprehur se arrestimi i Erion Veliajt është i vonuar dhe se partia e saj ka denoncuar prej tetë vitesh aferën e inceneratorëve, që lidhet drejtpërdrejt me emrin e tij.
Xhixho theksoi se në vitin 2017, Partia e Lirisë dhe Presidenti Ilir Meta i bënë publike këto denoncime, duke vënë në dukje se ende sot qytetarët po paguajnë për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Ajo akuzoi Veliajn dhe kryeministrin Edi Rama për abuzim me pushtetin dhe vjedhjen e qytetarëve, duke përdorur fonde për të blerë media dhe manipuluar zgjedhjet.
Kjo bandë e ktheu Tiranën në lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe drogës, betonizoi qytetin, e bëri të pajetueshëm për kostot në stratosferë, ku nuk ka vend për parqe por ka për kulla, nuk ka vend për shkolla e çerdhe por ka vend për kulla e beton, që me ndotjen që përjetojnë përditë qytetarët vuajnë sëmundje që shtohen çdo ditë.
U nxihet jeta në trafik qytetarëve sepse shërbimi urban nuk përmbush as oraret, as kapacitetin, as shpejtësinë, as shërbimin. Sepse prioritet për Bashkinë ishin vjedhjet, e jo qytetarët e Tiranës. Shkatërruan historinë e qytetit shembën Teatrin Kombëtar në mes të pandemisë për të bërë kulla.
Dy standardet në rastin Meta dhe Veliaj
Dua të ndalem në mënyrë të veçantë te rruga që u ndoq për të arrestuar simbolin e abuzimit me pushtetin lokal në Shqipëri. Tetë vite me vonesë, duke u shoqëruar në mënyrë korrekte, me makinë personale, pa shou. Erion Veliaj u shoqërua nga ata që pak kohë më parë i quajti kolegë.
Nuk mund të mos bësh këtu krahasimin me arrestimin e paligjshëm të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, katër muaj e gjysëm më parë, kur në mënyrën më banditeske u rrëmbye në mes të rrugës nga njerëz me maska dhe pa mjete identifikimi, me automjete private.
Ish-Presidenti, ish-Kryeministri, ish-Kryetari i Kuvendit u mor forcërisht, në kundërshtim të hapur me parimet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vijon edhe sot të mbahet në izolim ekstrem pa prova dhe pa fakte penale.
Nuk ju paraqit asnjë vendim gjykate, nuk iu deklaruan asnjë nga të drejtat kushtetuese që ka, nuk iu deklarua e drejta për avokat. Por u mor peng në mënyrë kriminale për turpin e Shqipërisë dhe do jetë njolla më e madhe e turpit për vendin tonë.
Është e qartë se drejtësia me regji e Edi Ramës ka dy standarde: një për bashkëpunëtorët e tij në korrupsion dhe një tjetër për kundërshtarët politikë që duhen mbajtur sa më larg votuesve, sepse zgjedhjet po afrojnë.
Duhet izoluar Presidenti Partisë së Lirisë sepse denoncimet dhe të vërtetat e mëdha nuk i pëlqejnë Edi Ramës dhe aftësia e tij elektorale padyshim frikëson këtë regjim.
Dhe flet Kryeministri për prezumim pafajësie, për standarde europiane dhe për ekzistencën e komisionit të torturës në Këshill të Europës, ky që do përgjigjet sëbashku me gjithë ministrin e Brendshëm dhe tërë zinxhirin që kanë dhënë atë urdhër politik për Presidentin Meta.
Rama dhe telefoni
“Mos të bëjnë gabim të vijnë për telefonin tim ata që kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë”, tha Edi Rama.
Nga çfarë ka frikë ky njeri? Pse kapet pas të drejtës për privatësi kryeministri që nxorri në shesh të dhënat e të gjithë shqiptarëve me sistemin e patronazhistëve apo me dështimin për t’i mbrojtur ato përmes strukturave si AKSHI që u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë miliona euro në vit.
Çfarë ka për të fshehur ai që miratoi 17 VKM brenda ditës vetëm për t’i hapur rrugë skemës së inceneratorëve?
Çështja McGonigal
Spak duhet të japë përgjigje për korruptimin kriminal të ish-hetuesit të FBI, McGonigal, nga kryeministri Edi Rama. McGonigal sot vuan dënimin në SHBA, ndërsa në dosjen e tij kryeministri ynë përmendet 14 herë.
Çështja McGonigal nuk mori kurrë përgjigje nga drejtësia, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet. Ndëshkimi popullor po vjen dhe do jetë masiv më 11 maj, për t’u bërë shembulli që kurrë nuk duhet të jetë një qeverisje.