Rusia mund të rikthehet në skenën e madhe ndërkombëtare, përfshirë edhe në formatin G8, sipas një plani të ri evropian të paqes që po qarkullon pas samitit emergjent të mbajtur në Gjenevë. Dokumenti, i përgatitur si kundërpërgjigje ndaj planit 28-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump – i konsideruar tepër i favorshëm për Moskën – përfshin disa lëshime të rëndësishme ndaj Rusisë.
Sipas mediave ndërkombëtare, propozimi i ri evropian parasheh kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase, si dhe angazhimin për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë, të cilat potencialisht mund të çojnë në largimin e presidentit Volodymyr Zelensky – një kërkesë kyçe e Moskës.
Oferta për rikthimin e Rusisë në G8 shihet si një përpjekje për ta integruar Kremlinin në rendin perëndimor, në këmbim të uljes së tensioneve dhe hapjes së negociatave përfundimtare të paqes.
Pas bisedimeve në Gjenevë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-të janë duke “bërë disa ndryshime” në planin e tyre, duke sinjalizuar afrime mes qëndrimeve perëndimore.
“Mendoj se ky është një takim dhe ditë shumë domethënëse, ndoshta më e mira që kemi pasur deri më tani në këtë proces, që prej janarit kur morëm detyrën,” tha Rubio.
Publikimi i kundërpropozimit vjen pak pasi Donald Trump kritikoi Kievin, duke thënë se Ukraina ka treguar “zero mirënjohje” për përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, Kievi e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë kushte që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, duke e lënë në pikëpyetje fatin e negociatave të sapo nisura.






