6.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

Festivali me i njohur shqiptar ” Sunny Hill ” tashme sdo t zhvillohet më në Prishtinë por në Tiranë pas mosmaarveshjeve me qeverinë e Kosovës

Prej kohësh në Tiranë ishte parë shpesh Dukagjin Lipa, babai i yllit të Pop-it me famë botërore Dua Lipa. Flitej se po bisedonte për të organizuar një concert në Tiranë, por në fakt diçka tjetër, më e madhe po bluhej.

Duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet mes politikanëve të Shqipërisë me ata të Kosovës, ai duket se ka gjetur një mënyrë për të zgjidhur problemet me të cilat përballej prej vitesh në Kosovë, duke larguar festivalin e njohur “Sunny Hill” nga Prishtina.

Lajmi për zhvendosjen në Tiranë të festivalit mjaft të njohur u zyrtarizua këtë të martë nga vetë organizatorët. Shkak ishin bërë zvarritjet gati 3-vjeçare të autoriteteve vendase për t’i dhënë një hapësirë në përdorim për 99 vjet fondacionit për zhvillimin e festivalit.

Në një letër të gjatë publike që Dukagjin Lipa u ka dorëzuar autoriteteve më të larta të Kosovës ai shpreh keqardhje për këtë vendim, por thotë se ishte e pamundur që të vijonte në këtë mënyrë pasi çështja po politizohej.

“Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asamblistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë” – shkruan Lipa.

“Nevoja për fitore të vogla politike nga ana e asamblistëve komunalë, fatkeqësisht mbeti mbi interesin e shtetit dhe mundësinë për rritjen e një platforme të rëndësishme të diplomacisë kulturore dhe turizmit kulturor” – shkruan babai i artistes me famë botërore.

Vetë Dua Lipa nuk pati komente për braktisjen e Prishtinës, por ajo postoi një foto të faqes zyrtare të “Sunny Hill” në Instagram, që tregon se festivali po zhvendoset në Tiranë.

Komuna e Prishtinës kishte rënë dakord më herët që t’i japë “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet. Por procedurat janë zvarritur më tej në qeveri. Përfaqësuesit e Vetëvendosjes nuk kanë qenë dakort për një koncension për një periudhë aq të gjatë për Sunny Hill.

Propozimet për ta ulur periudhën në 15 apo 20 vjet janë refuzuar nga organizatorët, që kanë gjetur në Tiranë një alternativë më të mirë dhe më të përshtatshme për festivalin.

Këtë vit, festivali ishte parashikuar që të mbahej nga 4 deri më 7 gusht në Prishtinë. Në të njëjtat data do të mbahet në Tiranë. Në mediat e Kosovës flitej se këtë vit ishte parashikuar të ishte e ftuar Madona dhe Coldplay.

Në edicionet e kaluara pjesë e tij kanë qenë emra të njohur të muzikës pop, hip hop etj si Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, etj.

Largimi i këtij festivali nga Prishtina ka shkaktuar atje një furtunë reagimesh politike. Opozita ka akuzuar qeverinë si përgjegjëse për dështimin. Në një reagim të saj ministria e Kulturës thotë se nuk e ka anuluar dhënien e hapësirës për Sunny Hill, por ka kërkuar dokumente shtesë.

“Njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”, thuhej në njoftim.

Për më shumë, qeveria i ka cilësuar dokumentat e Sunny Hill, që organizohet nga Dukagjin Lipa, babai i këngëtarës së famshme Dua Lipa, si të pakompletuar.

“Kemi kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore”, thuhet në reagimin e Qeverisë Kurti.

Por, një prej organizatorëve të Sunny Hill, Albert Kastrati ka mohuar faktin se festivali ka kërkuar tokë falas. Në vend të kësaj, ai thotë se gjithë sa kërkohej ishte një hapësirë dinjitoze për eventin, për të cilën ishte premtuar që në pjesën tjetër të vitit të ishte park publik.

“MAPL-se i kemi propozu mos me na dhanë as tokë as kurgjo, veç me e bo ajo vet një hapësire dinjitoze për festivale, e na veç me marrë leje për organizim të festivalit. Kjo, meqë propozimi qe na me investu 7M në hapësire publike e me e lënë të hapur si PARK PUBLIK gjatë gjithë vitit për krejt qytetarët, nuk është pëlqye si propozim. Ne fakt, është kundërshtu zëshëm. Ende jemi në pritje të përgjigje”, ka shkruar Kastrati.

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë është kapur në befasi. Asamblistët e quajtën “lajm jo të mirë” ikjen e Sunny Hillit dhe sqaruan kërkesat që kishin pasur.

“Kërkesat tona në raport me marrëveshjen e negociuar kanë qenë që prona të mos jepet për 99 vite por për një periudhë 15-20 vite dhe që kjo hapësirë të mund të shfrytëzohet edhe për koncerte tjera që nuk janë të karakterit të njëjtë si Sunny Hill, si dhe të kryhen të gjitha procedurat administrative dhe plotësimi i dokumentacionit konform kërkesave ligjore”, thuhej në reagimin e LVV në Prishtinë.

Më herët, shefi i antarëve të asamblesë së Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, reagoi në “Facebook”, për tërheqjen e festivalit Sunny Hill nga Kosova.

Ai u shpreh se duhet të mirëpresim dorëheqjen e Sunny Hillit nga 99 vjet pronë në Prishtinë, ndërsa shtoi se organizatorët nuk kanë arsye për t’u tërhequr nga Kosova nëse nuk janë në ndonjë pazar tjetër.

Nuk mund të mungonte në këtë situatë komenti i kryeministrit Edi Rama dukshëm i ekzaltuar për fitoren ndaj “rivalit” të Prishtinës.

“Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo” shkruan Rama, që ç’është e vërteta e ka pritur me një vëmëndje të veçantë familjen Lipa.

Në gusht të vitit të kaluar, Rama i rezervoi një pritje speciale Dukagjin Lipës, vajzës së tij Dua, ish të dashurit të saj Anëar dhe familjarëve të tjerë, kur i bashkoi me familjen e tij në një udhëtim drejt plazheve të jugut.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT