Në një fjalim përpara qytetarëve të Fierit, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se do të ndihmojë fermerët dhe bizneset, duke garantuar rritje të pagave dhe pensioneve, dhe një mbështetje të fortë për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare.
“Ju duhet të shkoni tek çdo qytetar i Fierit, tek çdo pensionist. Garantoj rritje progresive me 15-20 përqind gjersa të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet,” tha Berisha, duke shtuar se ky program do të jetë “Leva e Arkimedit” për ta bindur çdo qytetar të këtij rrethi.
Ai kritikohoi qeverinë aktuale për menaxhimin e dobët të bujqësisë, duke theksuar se fermerët kanë lënë vetëm 0.9% të prodhimit të brendshëm për këtë vit, ndërkohë që ata kontribuojnë me 19% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm të Shqipërisë.
Berisha premtoi mbështetje të fortë për fermerët, duke garantuar subvencione për çdo njësi prodhimi dhe për çdo kokë bagëti, si dhe një sistem të ri të TVSH-së për përpunuesit.
“Do t’i rikthejmë fermerit tonë suksesin, mundësinë e pasurimit me djersën e tij,” tha ai, duke premtuar rritjen e kultivimit të ullinjve dhe një mbështetje më të fortë për sektorin bujqësor.
Për bizneset, Berisha premtoi një ulje të taksave dhe një garantim të konkurrencës së ndershme, duke kritikuar qeverinë për ndikimin e krimit të organizuar në ekonominë e vendit. “Do t’i kapim kriminelët atje ku të jenë, kudo që të jenë,” theksoi ai, duke akuzuar ata se shkatërrojnë ekonominë shqiptare me paratë e tyre të “helmatisura.”
Ai gjithashtu foli për një reformë të thellë në shpërndarjen e të ardhurave dhe për një rritje të rrogave, duke theksuar se rroga minimale nuk do të jetë kurrë nën 500 euro.
“Është radha jonë. Rrofshi ju, rroftë Fierit, fitore, fitore,” përfundoi Berisha, duke kërkuar mbështetje për programin e tij dhe duke bërë thirrje për një betejë fitimtare.






