Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 41-vjeçarit Artur Çangu, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 10 prillit në fshatin Viron, në zonën e Niklës, Fushë-Krujë.
Sipas burimeve nga hetimi, viktima dhe autori i dyshuar, Eduart Afmataj, kishin prej rreth dy vitesh konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur 41-vjeçari kishte shkuar pranë banesës së prindërve dhe kishte parkuar automjetin në afërsi.
Ky veprim ka sjellë reagimin e menjëhershëm të autorit të dyshuar, i cili ka dalë nga banesa dhe është përfshirë në një debat verbal me viktimën, duke pretenduar se i ishte bllokuar rruga. Debati ka degjeneruar në përplasje fizike, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar në përdorimin e armës.
Sipas të dhënave paraprake, Afmataj ka marrë një armë gjahu dhe ka qëlluar ndaj 41-vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pas ngjarjes, autori dyshohet se ka njoftuar vetë policinë dhe më pas është larguar nga zona, duke u shpallur në kërkim. Forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe në disa ambiente të dyshuara, por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e tij.
Grupi hetimor po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.






