BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit do të kenë “pasoja të gjera në skenën politike botërore” dhe se vendi i tij duhet të ruajë lirinë dhe pavarësinë, ndërsa forcon kapacitetet mbrojtëse.
“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte në dy gjëra – e para, ndryshimi i regjimit në Beograd dhe, e dyta – sigurimi i pavarësisë së Kosovës. Tani është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar drejt vlerave perëndimore,” deklaroi Vuçiq për televizionin Informer, duke krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999.
Ai shtoi se Serbia do të blejë sisteme të avancuara mbrojtjeje ajrore për të garantuar paqen: “Do ta ruaj paqen, por kjo varet edhe nga sa i fortë je. Ne do të sigurojmë sisteme jashtëzakonisht të fuqishme. Po e shqyrtojmë seriozisht këtë, kemi mbrojtje shumë-shtresore.”
Reagimi i Vuçiq vjen pas nisjes së sulmeve nga SHBA dhe Izraeli në disa qytete iraniane, ndërsa ushtria izraelite raportoi kundërpërgjigje me raketa nga Irani drejt Izraelit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme. Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi sulmet dhe deklaroi se do të eliminohet “kërcënimi nga regjimi iranian”.
Analistët shohin deklaratën e presidentit serb si një paralajmërim për ndikimin global të konfliktit dhe si një reflektim të politikës së Beogradit për të ruajtur neutralitetin dhe kapacitetet mbrojtëse, pas përvojave historike të ndërhyrjeve të jashtme në rajon.
Ndërkohë, historikisht, ndërhyrja e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999 pasoi krimet e forcave serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, që u vërtetuan nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, duke çuar më pas në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, të cilën Beogradi ende nuk e njeh.






