Atmosferë festive dhe shpirtërore ka përfshirë gjithë Shqipërinë këtë të premte, ku mijëra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Fitër Bajrami në sheshet dhe xhamitë e qyteteve kryesore.
Në Durrës, numri i lartë i besimtarëve bëri që falja të shtrihej për herë të parë edhe në sheshin “Liria” dhe hapësira të tjera publike përreth xhamisë, ndërsa ceremonia nisi në orën 06:25.
Edhe në Fier, dhjetëra besimtarë u mblodhën në sheshin qendror për të kryer ritin e faljes, ku myftiu Mikel Hazizolli përcolli mesazhe për paqe, harmoni dhe përgjegjësi shoqërore.
Në Vlorë, qindra qytetarë falën Bajramin në Pallatin e Sportit, ndërsa myftiu Ardit Hoxhllaku theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj familjes dhe ndihmës për njerëzit në nevojë.

Ndërkohë, në Gjirokastër, falja u zhvillua në ambientet e Pallatit të Sportit, ku myftiu Ermin Gjana bëri thirrje për më shumë mirëkuptim dhe harmoni, sidomos në një kohë konfliktesh globale.
Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, ku kreu i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi se “islami është fe e paqes, mëshirës dhe drejtësisë”, duke i kushtuar vëmendje edhe situatave të vështira në botë.
Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazani dhe shoqërohet me akte solidariteti si dhënia e sadakasë për të varfrit. Pas faljes, besimtarët kthehen në familje për të vijuar festën me vizita, urime dhe drekën tradicionale të Bajramit.






