Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Edhe pse kanë kaluar tre javë nga ndërhyrja e tij kirurgjikale në spitalin “Evangelismos” të Athinës, mjekët ende nuk kanë mundur ta nxjerrin nga intubimi.
Burime pranë stafit mjekësor bëjnë të ditur se 95-vjeçari nuk ka treguar ende shenja të dukshme përmirësimi. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta stabilizuar, gjendja e tij mbetet delikate, duke ngritur shqetësime për ecurinë e mëtejshme të shëndetit të tij.
Kryepeshkopi Janullatos u shtrua fillimisht në një spital privat në Tiranë më 30 dhjetor 2024, pas shfaqjes së një viroze sezoni. Megjithatë, përkeqësimi i shëndetit e detyroi transferimin e tij më 3 janar 2025 në Athinë, me një avion të Forcave Ajrore Greke, ku më pas iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale emergjente për shkak të një gjakderdhjeje gastrike.
Në këto ditë të vështira, figura të rëndësishme nga politika shqiptare dhe greke kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kryepeshkopin, ndërsa vizitat nga personalitete të larta të të dy vendeve kanë qenë të vazhdueshme.
Ndërkohë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka bërë thirrje për lutje për shërimin e tij, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në ringritjen dhe forcimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri.
Gjendja e Kryepeshkopit Janullatos pritet të mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga mjekët, ndërsa besimtarët dhe ndjekësit e tij shpresojnë për një rikuperim të mrekullueshëm.






