12.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Gjermania shqyrton kthimin te energjia bërthamore, synohet shmangia e krizës gjatë periudhës së dimrit

Pas kthimit te termocentralet me qymyr, qeveria gjermane po shqyrton mbajtjen e centraleve bërthamore. Synimi është shmangia e krizës energjetike në dimër, shkruan Auron Dodi.

Gjermania druhet se mund të përballet në dimër me mungesë të energjisë elektrike. Në këtë situatë, qeveria po shqyrton të gjitha burimet e mundshme për të shmangur këtë skenar. Gazi, me të cilin mbusheshin më parë boshllëqet energjetike është kthyer tani në burim të papreferuar. Kjo pasi pas fillimit të luftës në Ukrainë Rusia e ka kufizuar në 20% të sasisë të mëparshme furnizimin për Gjermaninë. Qeveria po ndërton me shpejtësi katër terminale për të importuar gaz të lëngshëm, LNG. Por gazin e shtrenjtuar që do të importojë, ajo është e detyruar ta kursejë sa më shumë.

Në këtë kuadër qeveria po shqyrton se a mund ta zbusin centralet bërthamore një krizë të furnizimit me energji të Gjermanisë. Kancelari Scholz ka lënë të kuptohet se centralet bërthamore të vendit mund të mos mbyllen sipas planit, në fund të këtij viti.

Gjasat që të mbeten hapur centralet bërthamore

Diskutimi publik për këtë hap ka nisur që në mars. Atëherë u kërkua edhe që të zgjatet koha në punë e termocentraleve me qymyr. Sa i madh është rreziku për krizën energjetike në Gjermani në dimër, këtë ministri i Ekonomisë Robert Habeck po përpiqet ta konstatojë aktualisht me një test stresi, me një skenar të rastit më të keq.

Me një mbajtje të centraleve bërthamore qeveria synon të shmangë krizën energjetike në dimër, shkruan Auron Dodi.Centrali bërthamor Brokdorf, i mbyllur më 31.12.2021

Edhe pa përfunduar testi, sipas një burimi mendohet se Bavaria, landi federal i dytë nga madhësia i Gjermanisë, mund të ndodhet në një situatë problematike në rast krize energjetike në dimër. Kjo pasi energjinë elektrike Bavaria e prodhon kryesisht nga gazi dhe energjia bërthamore. Ndaj centrali i parë bërthamor, mbajtja e të cilit mund të zgjatet është ai në Bavari, Isar 2. Gjermania ka në punë edhe dy centrale të tjera bërthamore: në Baden-Vyrrtemberg (Neckarwestheim 2), në landin e tretë për nga madhësia të Gjermanisë, dhe në Saksoninë e Poshtme (Emsland). Së bashku ato prodhojnë rreth gjashtë përqind të nevojës për energji të Gjermanisë.

Mbajtja e centraleve bërthamore – thyerje tabuje për Gjermaninë

Mbajtja e centraleve bërthamore konsiderohet thyerje tabuje për Gjermaninë, sepse braktisja e energjisë bërthamore qe vendosur me ligj, që në vitin 2011. Pas katastrofës së Fukushimës, kancelarja Angela Merkel vendosi mbylljen deri në fund të 2022-it të centraleve bërthamore të Gjermanisë. Për këtë vendim ajo pati atëherë mbështetje të gjerë: si një rrugë për siguri më të madhe; për të shpëtuar nga mbetjet bërthamore të centraleve; por edhe për të nxitur burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Deri kur nisi lufta në Ukrainë, as që mendohej që ky vendim të sprapsej. Por me shpërthimin e luftës dhe me ndryshimin e politikës së Rusisë, u pa e nevojshme qe Gjermania të shkëputej nga varësia e madhe energjetike nga Rusia, në radhë të parë për furnizim me gaz. Pra veç kthesës epokale në mbrojtje, u shtrua nevoja e një kthese edhe energjetike të Gjermanisë.

Me një mbajtje të centraleve bërthamore qeveria synon të shmangë krizën energjetike në dimër, shkruan Auron Dodi.Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck

Centralet bërthamore mund të jenë një burim shtesë, për të kufizuar rritjen e çmimit të energjisë. Aq më tepër kur kërkesa për të mund të rritet: shumë njerëz mund të kalojnë në ngrohje me energji elektrike, po të mungojë gazi ose kur ai të shtrenjtohet.

Me gaz Gjermania mbulon 13 përqind të nevojave të saj energjetike. Gazin nga Rusia, Gjermania e përdor për industrinë dhe për ngrohje.

Programi atomik i Franz Josef Strauß-it dhe solidariteti evropian sot

Shumë shtete po i rikthehen energjisë bërthamore. Japonia do të vërë në punë deri në dimër nëntë centrale bërthamore. Franca do të ndërtojë gjashtë centrale të reja bërthamore, veç 56 centraleve ekzistueseve që ka. Gjermania ka pasur 22 centrale bërthamore. Deri në vitin 2011 në punë qenë 15 të tilla.

Në Gjermaninë Perëndimore ishte Franz Josef Strauß-i, “Ministri Federal për Çështjet Atomike” që nisi në vitet 1950 një program bërthamor. E bëri këtë i rrethuar nga mosbesimi i fqinjëve, pasi Gjermania hitleriane qe përpjekur deri në fund të ndërtonte një bombë bërthamore.

Por besimi në energjinë e lirë bërthamore u trondit me demonstratat e viteve 1970 dhe me katastrofën e Çernobilit, më 1986. Gjermania ka pasur që në këtë kohë edhe një lëvizje të fortë ekologjike. Ajo është nga të paktat vende, ku partia ekologjiste, Të Gjelbrit, kanë qenë dhe janë në pushtet. Fillesën si parti, Të Gjelbrit në Gjermani e kanë pikërisht në lëvizjen protestuese antibërthamore.

Me një mbajtje të centraleve bërthamore qeveria synon të shmangë krizën energjetike në dimër, shkruan Auron Dodi.Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock

Edhe sot Të Gjelbrit e kundërshtojnë energjinë bërthamore. Megjithatë, ministrja e Jashtme e Gjelbër, Annalena Baerbock pranoi se “tani ndodhemi në një situatë emergjente, ku po shqyrtojmë edhe njëherë gjithçka”. Televizionit Bild-TV ajo i tha se ka rëndësi që “çdo hap të bëhet i bazuar në fakte.”

Nga anëtarët e tjerë të qeverisë, njësoj si Të Gjelbrit, të rezervuar janë socialdemokratët. Por një zëdhënës i kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz tha se kancelari do ta vendosë kursin e veprimit “krejtësisht i lirë nga ideologjitë”. Për këtë ai pret rezultatet e testit aktual, të dytë, të stresit për energjinë.

Ndërsa partia liberale, FDP, e kërkon hapur zgjatjen e mbajtjes së centraleve bërthamore – si shenjë solidariteti me Evropën. Kërkohet solidaritet edhe me Francën, në situatë të vështirë pasi i ka jashtë funksionit për shkaqe teknike gjysmën e centraleve të saj bërthamore. Të njëjtën gjë kërkojnë edhe opozitarët e CDU/CSU-së.

Rikthimi te termocentralet me qymyr – hapi tjetër i dhimbshëm

Qeveria po kërkon rrugë për të kursyer gaz, por edhe që çmimet e energjisë të mbeten nën kontroll. Ngritjen e çmimit të gazit në treg dje ajo vendosi megjithatë t’ua transportojë pjesërisht edhe konsumatorëve.

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck tha se çmimi i gazit do të rritet prej 1 tetorit. Për një familje në Gjermani, gazi do të kushtojë nga 300 deri 1000 euro më shumë në vit.

Me një mbajtje të centraleve bërthamore qeveria synon të shmangë krizën energjetike në dimër, shkruan Auron Dodi.Termocentrali i linjitit Neurath

Është pikërisht kjo situatë kur qeveria gjermane bëri para pak ditësh (13.07.) një hap tjetër: riktheu në tregun e energjisë elektrike centralet që operojnë me qymyr dhe me naftë.

Me një dekret u vendos që për një periudhë të kufizuar, deri në fund të dimrit, energji të prodhojnë 27 termocentrale me qymyr. 11 prej këtyre termocentraleve, tashmë në rrjet, nuk do të nxirren prej tij. 16 të tjera do të rifuten në rrjet.

Ministri i Gjelbër i Ekonomisë, Habeck tha se përdorimi i qymyrit është një masë e dhimbshme, por e nevojshme. Objektivi i braktisjes së qymyrit në Gjermani, më e vonta në vitin 2038, sipas qeverisë, mbetet i paprekur. /DW

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT