Gjykata Administrative në Francë ka vendosur të shfuqizojë dëbimin e shtetasit shqiptar Fatjon Salihi, i cili ishte deportuar drejt Shqipërisë më 23 shkurt 2026 nga autoritetet e prefekturës së Jurës.
Sipas mediave lokale franceze, vendimi i gjykatës u mor më 5 mars, duke anuluar të gjitha masat administrative të ndërmarra ndaj tij. Megjithatë, familjarët e Salihit ende nuk kanë informacion të qartë se kur dhe si ai do të mund të rikthehet në Francë.
Dëbimi i tij kishte shkaktuar reagime në komunitetin ku jetonte, pasi shqiptari u largua duke lënë në Francë bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël, 6 dhe 4 vjeç. Ai kishte gjithashtu një kontratë të përhershme pune në sektorin e ndërtimit, ku punonte si drejtues kantieri.
Fatjon dhe bashkëshortja e tij, Berina Salihi, kishin mbërritur në Francë në vitin 2021. Ai ishte punësuar në kompaninë e ndërtimit “RP Routes”, ku me kalimin e kohës kishte marrë përgjegjësi më të mëdha deri në pozicionin e shefit të kantierit, një profesion për të cilin sektori i ndërtimit në Francë përballet shpesh me mungesë punonjësish.
Familja jetonte në Andelot-en-Montagne. Djali i madh, 6 vjeç, ka lindur në Shqipëri, ndërsa vajza 4-vjeçare ka lindur në Francë.
Sipas Arnaud Dulong, përfaqësues i shoqatës Ajir (Accueil Jurassien Intercommunautaire de Réfugiés), që po asiston familjen, vendimi i gjykatës është pozitiv pasi rrëzon të gjitha masat e vendosura ndaj Salihit.
“Vendimi anulon detyrimin për të lënë territorin francez (OQTF), ndalimin e rikthimit në Francë, refuzimin e një afati për largim vullnetar si dhe masën e qëndrimit të detyruar.”
Megjithatë, sipas tij, procesi nuk është përmbyllur ende dhe mbetet e paqartë se kur shqiptari do të mund të rikthehet pranë familjes së tij.
Ndërkohë, dy fëmijët e familjes nuk flasin shqip, çka sipas përfaqësuesve të shoqatës tregon përpjekjet e tyre për integrim në Francë. Salihi ka gjithashtu familjarë që jetojnë prej kohësh në vend, përfshirë një motër që ka marrë shtetësinë franceze.
Sipas raportimeve, ende nuk është e qartë nëse ai ka marrë pasaportën e tij, e cila dyshohet se mund të jetë dorëzuar nga autoritetet franceze tek autoritetet shqiptare.





