Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Krujë, ku rreth 500 qytetarë përfunduan në spital me shenja helmimi.
Ogerta Manastirliu tha sot se po priten ende përgjigjet e analizave bakterologjike për të përcaktuar shkakun e helmimit të afro 500 qytetarëve në Krujë gjatë këtyre ditëve.
Sipas saj gjendja në spitalin e Krujës është aktualisht e kontrolluar dhe sot janë nën kujdesin e mjekëve 14 qytetarë.
Manastirliu tha se ka disa pista hetimi ku po investigohet për të përcaktuar shkakun e helmimit.
“Dua t’ju jap një informacion, nga raportimet e ISHP dhe operatorët e kujdesit vendor të Krujës, janë ende në pritje të analizave bakterologjike. Nga ana tjetër dua të theksoj se ditën e sotme janë 14 qytetarë, përfshi këtu fëmijë dhe adoleshentë që po marrim shërbim mjekësor pranë spitalit të Krujës. Fatmirësisht fluksi ka ardhur në rënie. Analizat bakterologjike kërkojnë kohën e tyre.”, pohoi ajo.
Teksa u pyet nga gazetarët për faktin nëse do të ketë një tjetër qendër diagnostikimi si Dispanceria, ministrja tha;
“Në këtë pikë, progresi sa i përket transparencës së ofrimit të shërbimeve është i madh dhe i dukshëm. Çdo ekzaminim që kryhet në shtet, realizohet përmes mjekut të familjes. Çdo qytetar merr shërbim në kohë dhe me cilësi, ata nuk presin në radhë. Sa i përket Dispanserisë, kemi investuar që ajo të jetë me standarde bashkëkohore. Aty do të shtohet një aparaturë e re në strukturën tonë, që të kemi një ulje të kohës së pritjes, për qytetarët që kanë planifikuar, dhe për rastet urgjente.”.