Sot, zyrtarisht hyn në fuqi ligji i lojërave të fatit, duke hapur rrugën për rikthimin e basteve sportive vetëm në mënyrë online. Pesë vite pas nismës së qeverisë ‘Fundi i Marrëzisë’, që reduktoi numrin e pikave bastesh në të gjithë vendin për mbi 4 mijë, ato tashmë do të rihapen, por nën rregulla të reja.
Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të japë 10 licenca për operimin e këtij aktiviteti, çdo një me një jetëgjatësi prej 10 vitesh. Kompanitë që kërkojnë licencën duhet të kenë operuar në jo më pak se 3 shtete të BE-së/OECD dhe për jo më pak se 3 vite.
Përfituesit duhet të kenë gjeneruar të paktën 2 miliardë lekë xhiro në vitin e fundit financiar nga aktiviteti i lojërave të fatit, të mos kenë ndjekje penale dhe të mos kenë detyrime të papaguara. Tarifa e licencimit është 400 milionë lekë, ndërsa kompanitë duhet të kenë një kapital themeltar prej 40 milionë lekë.
Lojtarët online do të regjistrohen me kartën e identitetit në faqen ueb ose në aplikacion, dhe të gjitha transaksionet do të bëhen nëpërmjet sistemit bankar. Organizatorët janë të detyruar të mbajnë të dhënat e lojtarëve në një regjistër për tre vite.
Për të kontrolluar paratë që qarkullojnë në këtë aktivitet, organizatorët e basteve sportive online duhet të formojnë një fond prej 120 milionë lekësh, por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion nga lojtarët brenda një viti. Kjo shumë do të transferohet në një llogari bankare të Ministrisë së Financave.
Kompanitë duhet të derdhin 15% të ardhurave bruto në llogarinë e Fondit të Posaçëm të Përkrahjes më 15 të çdo muaji. Lojtarët do të tatohen mbi bazë të të ardhurave që sigurojnë, në një fashë prej 13-23%.
Të ardhurat e përfituara do të shkojnë në Fondin e Posaçëm, i cili mbështet projekte në fushën e sportit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit. Sistemet e kompanive bastesh do të auditohen nga Komisioni i Licencave. Pritet që hapja e basteve sportive online të sjellë në buxhetin e shtetit të ardhura prej 2 miliardë lekësh në vit.