1.5 C
Tiranë
Sunday, November 17, 2024
spot_img

I biri humbi jetën nga shpërthimi me tritol, nëna e Enea Thomaraj rrëfen momentet e fundit

35 vite më parë, Arturi u njoh me bashkëshorten e tij, Luljetën, dhe ra në dashuri me të që në çastin e parë. Jeta e të rinjve nuk do të ishte e lehtë, por, përkundër sprovave dhe varfërisë, ata ia dolën të krijonin një familje të ngrohtë.

Arturi jetonte me të dy prindërit dhe me bashkëshorten. Luljeta vuante nga astma dhe kishte vështirësi edhe me sjelljen në jetë të fëmijëve. Dy herë u gëzuan me fëmijë dhe dy herë përjetuan humbjen e tyre, sepse fëmijët nuk arrinin të mbijetonin. U deshën pesë vite që shtëpia të mbushej me gëzim, kur lindi djali i tyre i madh, të cilit i vendosën emrin Enea. Enea ishte një fëmijë i mirë; nuk i shqetësonte prindërit, kërkonte pak dhe kënaqej me gjithçka. E vetmja kërkesë e tij e vazhdueshme ishte që prindërit t’i bënin një vëlla.

Kaluan plot tetë vite derisa në jetë erdhi djali i dytë i familjes Thomaraj. Emrin ia zgjodhi Enea, duke thënë se do ta quanim Arluen, si bashkim i emrave të prindërve dhe të vëllait: Artur, Luljeta dhe Enea. Enea dhe Arlueni u bënë të pandarë. Si vëllai i madh, Enea e merrte kudo me vete. Flinin në të njëjtën dhomë, në dhomën e ndenjes, që natën kthehej në dhomën e tyre të gjumit. Pasi mbaronin darkën, shndërronin divanet në shtretër dhe kalonin orë të gjata bisedash, duke “shqetësuar” herë pas here prindërit me të qeshurat e tyre të larta në mes të natës.

Kur prindërit e Arturit ndërruan jetë, familja mbeti me katër anëtarë – çifti dhe dy djemtë e tyre. Arturi punoi sa mundi që t’u krijonte sado pak kushte familjes, ndërsa Luljeta, për shkak të astmës dhe artritit, ndërpreu punën që bënte në spital si sanitare.

Djemtë u rritën me përgjegjshmëri të madhe dhe me dhembshuri për prindërit, të cilët përpiqeshin shumë për ta. Disa vite më vonë, Arturi pësoi një paralizë, që ia vështirësoi ecjen dhe kryerjen e shumë veprimeve. Për pasojë, rolin e kryefamiljarit e mori Enea. Si një djalë i ri plot plane dhe ëndrra, ai donte të punonte dhe të ndihmonte familjen dhe pa emigrimin si rrugën më të lehtë për të. U nis për të punuar në Gjermani, ku qëndroi tre vjet, derisa shteti gjerman e ktheu në Shqipëri për mungesë lejeqëndrimi.

Por Enea nuk u dorëzua. Nisi menjëherë punë në Elbasan, nga një fabrikë në tjetrën, nga një turn në tjetrin, shpesh duke punuar disa turne bashkë, në mënyrë që të fitonte sa më shumë dhe të ndihmonte prindërit e sëmurë. Arturi kujton se Enea nuk i shqetësoi kurrë, se e donin të gjithë në lagje dhe se ndihmonte këdo që kishte nevojë. Për të atin, Enea ishte si një shok, një mbështetje ku mund të mbështetej. Ai ishte djali që e shoqëronte nënën në spital për mjekime, ai që e mbante babain për krahu për të zbritur shkallët dhe për të pirë bashkë kafen e mëngjesit. Ai që kalonte sa më shumë kohë me vëllain, duke i thënë që të vazhdonte shkollën, sepse do të punonte vetë për të gjithë bashkë.

Gjithçka për këtë familje ndryshoi në natën e 14 korrikut 2024. Enea dhe Arlueni ishin jashtë në mbrëmje, kur prindërit i kërkuan të ktheheshin në shtëpi, se ishte natë, ishte vonë dhe meraku i pengonte të flinin të qetë pa qenë djemtë në shtëpi. Vëllezërit u kthyen, përshëndetën prindërit dhe qëndruan në dhomën e ndenjes. Pas bisedave të zakonshme dhe duke kaluar kohën në celularë, secili u shtri në divanin e tij, që e përdornin si shtrat.

Atë ditë, Enea nuk ishte ndjerë mirë. Kishte një ndjenjë shqetësimi, pa kuptuar përse. U zgjua në humor të zymtë dhe e shpjegoi me vapën e madhe, pasi ishte një nga ditët më të nxehta të verës. Por mbrëmja e gjeti sërish të trazuar. Teksa flinte, u zgjua dhe shkoi drejt tualetit. Dera ishte e mbyllur, sepse aty ndodhej vëllai i tij. Enea priti në korridor. Ishte ora 2:14 e natës; prindërit ishin në gjumë, gjithçka ishte qetësi. Qetësi që u trondit nga një zhurmë e fuqishme, aq e fortë sa të dukej si goditja e 20 vetëtimave njëherësh, thotë Arturi. Pas kësaj, mbizotëroi heshtja.

Dera e banesës u hap me forcë – ishte Arlueni, i vëllai, që thirri sa fuqi kishte: “Laliii!” – siç i thërriste gjithmonë. Dera e banesës kishte rënë mbi fytyrën e Eneas. Ishte porta kryesore e shtëpisë, ajo që mbyllën disa orë më parë për të sinjalizuar që ishin të gjithë në shtëpi, që familja ishte bashkë dhe se mund të flinin të qetë. Por tani ajo derë qëndronte mbi Enean. Një shpërthim tritoli, i vendosur në derën e fqinjëve përballë, goditi tragjikisht Enean e pafajshëm, duke i ndërprerë gjithçka në mes. Nga ajo natë, familja Thomaraj nuk pati më gjumë. Prindërit u zgjuan të tronditur, pa kuptuar se ç’po ndodhte. Në tokë gjendej djali i tyre, i mbuluar nga gjaku. Dera e shtëpisë ishte e çarë në mes, duke i lënë të ndihen të pasigurt. Pas asaj nate, kaluan tre muaj gjatë të cilëve Enea qëndroi në spital.

Në fillim arriti të ishte i ndërgjegjshëm, por prindërit thonë se ai, deri në minutat e fundit të jetës, nuk kuptoi dot se çfarë kishte ndodhur. Se çfarë ishte ajo ngjarje që padrejtësisht i mori jetën, në moshën 29-vjeçare, duke i lënë përgjysmë dashurinë, familjen, punën, bisedat me të vëllanë, vizitën në spital të së ëmës, kafen që do të pinte të nesërmen me të atin dhe shokët që e prisnin për të dalë.

Enea ndërroi jetë tre javë më parë, pasi luftoi në spital për tre muaj. Fjalët e fundit për të ëmën ishin: “Jam mirë…” Ndërroi jetë duke lënë pas dhimbjen më të madhe për këtë familje. Prindërit e tij humbën shtyllën e shtëpisë, dhe vëllai – shokun e jetës. Ata kurrë nuk do ta kishin menduar vdekjen e Eneas dhe ishin aq të papërgatitur, saqë nuk kishin as lekët për të bërë ceremoninë mortore.

Nga momenti kur Enea ndërroi jetë, Arturi nuk ka lëvizur më nga shtëpia. E vetmja ditë që doli ishte sot. Tani, në familjen Thomaraj, janë hapur dyert e mortit dhe shumë njerëz futen e dalin për të dhënë ngushëllimet,

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT