Një shtetas shqiptar ka arritur t’i shpëtojë deportimit nga Mbretëria e Bashkuar, pavarësisht se ishte dënuar për kultivim të drogës, duke u mbështetur në të drejtën për jetë familjare.
Armando Iberhasaj ishte dënuar me katër muaj burg për kultivimin e rreth 200 bimëve kanabis. Sipas legjislacionit britanik, një dënim i tillë parashikon deportim automatik drejt vendit të origjinës, në këtë rast Shqipërisë. Megjithatë, Iberhasaj i tha Gjykatës së Imigracionit në Derbyshire se dëbimi i tij do të përbënte shkelje të së drejtës për të krijuar dhe ruajtur një jetë familjare me partneren e tij britanike.
Sipas tij, partnerja nuk flet shqip dhe nuk do të ishte në gjendje të përshtatej me jetën në Shqipëri, çka do ta bënte deportimin “të padrejtë dhe disproporcional”. Iberhasaj argumentoi se e drejta për jetën familjare tejkalon rrezikun kriminal që ai paraqet për shoqërinë, veçanërisht duke theksuar faktin se ai kishte vuajtur më pak se një vit burg, prag që autoritetet zakonisht përdorin për deportim automatik.
Sipas mediave britanike, Iberhasaj ka hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme në vitin 2019. Vetëm disa muaj më pas, ai u arrestua nga policia në një “shtëpi bari” në Bolsover, në qarkun Derbyshire, ku po kultivoheshin rreth 200 bimë kanabis.
Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë për Emigracionin, Sarah Pinder, pranoi në vendimin e saj se “kultivimi i drogës është i dëmshëm për shoqërinë”, por theksoi se në këtë rast deportimi do të ishte “tepër i ashpër” për partneren e tij britanike.
“Jam dakord se zhvendosja e partneres në Shqipëri do të sillte pasoja të ashpra dhe të pajustifikueshme për të, për faktin se ajo nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, nuk e ka vizituar kurrë dhe nuk ka jetuar atje,” u shpreh gjyqtarja.
Në seancë, partnerja e Iberhasajt paraqiti prova se është e pavarur financiarisht, e punësuar dhe e angazhuar në kujdesin për nënën dhe motrën e saj, kjo e fundit e diagnostikuar me kancer. Sipas gjykatës, këto rrethana e bënin zhvendosjen e saj jashtë Mbretërisë së Bashkuar edhe më problematike.
Nga ana tjetër, prokuroria argumentoi se, pavarësisht vështirësive, partnerja e Iberhasajt mund të përshtatej me jetën në Shqipëri edhe pa e ditur gjuhën, njësoj siç kishte bërë vetë Iberhasaj në Angli. Prokurorët theksuan gjithashtu se marrëdhënia e çiftit kishte nisur në një kohë kur ai nuk kishte asnjë të drejtë ligjore qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte plotësisht i vetëdijshëm se rrezikonte deportimin.
Prokuroria nënvizoi gjithashtu ndikimin e rëndë negativ të drogës në shoqëri, duke theksuar se furnizuesit dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike po shkatërrojnë jetën e qytetarëve britanikë.
Vendimi për t’i lejuar Iberhasajt qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar vjen vetëm pak ditë pasi Sekretarja e Shtetit, Shabana Mahmood, propozoi kufizime në përdorimin e dispozitave për të drejtat familjare të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se kriminelët dhe emigrantët e paligjshëm nuk duhet të përfitojnë prej tyre.
Ky nuk është rasti i parë kur emigrantë shqiptarë arrijnë të shmangin deportimin nga Anglia përmes argumenteve ligjore. Pak kohë më parë, një tjetër shtetas shqiptar, Klevis Disha, u lejua të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar me argumentin se djali i tij hante vetëm mish pule anglez, një rast që shkaktoi reagime të forta në opinionin publik britanik.






