Është zbardhur identiteti i shqiptarit që humbi jetën katër ditë më parë në një aksident të rëndë rrugor në Itali. Viktima është Leonard Fjora, 32 vjeç, banues në Marzabotto. Ngjarja ndodhi në autostradën Porrettana, në zonën e Bolonjës, ku makina tip “Volkswagen” që drejtonte Fjora u përplas kokë më kokë me një kamion plehrash. Përplasja ishte e fortë dhe makina shpërtheu në flakë, duke u kthyer në një “top zjarri”.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve dhe ambulancës, Fjora nuk pati asnjë mundësi shpëtimi. Trupi i tij u karbonizua, ndërsa procesi i identifikimit zgjati për shkak të dëmtimeve të rënda dhe djegies së dokumenteve. Hetimet paraprake dyshojnë se moti i keq dhe akulli në rrugë mund të kenë shkaktuar rrëshqitjen e automjetit në korsinë e kundërt.
Policia italiane raportoi se makina u përplas me kamionin dhe më pas me barrierat mbrojtëse anësore, duke u ndarë në dy pjesë përpara se të përfshihej nga flakët. Nuk përjashtohet mundësia që Fjora të ketë humbur ndjenjat pas përplasjes, çka e ka penguar të dalë nga automjeti.
Shoferi 61-vjeçar i kamionit mbeti pothuajse i padëmtuar, por në gjendje shoku dhe mori ndihmë mjekësore në vendngjarje. Karabinierët e njësisë së Casalecchio vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa rruga u mbajt e mbyllur për disa orë dhe trafiku u devijua në akse dytësore.






